Arlinda Pogaj është liruar këtë të martë nga detyra e drejtueses së Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP). Lajmin e ka bërë të ditur vetë Pogaj përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ajo u shpreh se drejtimi i këtij institucioni gjatë fazës së tij të konsolidimit ishte një privilegj dhe përgjegjësi e madhe, duke falënderuar ministrat Blendi Gonxhja dhe Delina Ibrahimaj për mbështetjen.
Duke bërë një bilanc të punës së saj, ish-drejtuesja theksoi se gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 1,649 tendera, të cilët i kanë kursyer buxhetit të shtetit rreth 42 milionë euro. Sipas saj, përmes bashkëpunimeve me institucionet homologe europiane, emri i OBP-së tashmë është bërë i njohur edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
