Deputetët e Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dhe Belind Këlliçi, zhvilluan gjatë një vizite zyrtare në Holandë, si pjesë e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite ata zhvilluan dy takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Parlamentit holandez.

Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, protesta qytetare që po zhvillohet prej 17 ditësh në Tiranë dhe diasporë, si dhe procesi i integrimit europian të vendit.

Në takime deputetët demokratë ngritën me forcë shqetësimin për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke u paraqitur bashkëbiseduesve kërkesat dhe qëllimet e protestës qytetare kundër qeverisë.

Ata shprehën mbështetjen e plotë për këtë lëvizje qytetare dhe për kërkesat legjitime të protestuesve, duke theksuar se opozita qëndron në krah të tyre në përpjekjen për rikthimin e standardeve demokratike dhe të llogaridhënies qeveritare.

Takimi i parë u zhvillua në Hagë me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve Thom van Campen dhe Kryetaren e Senatit Mei Li Vos dhe u diskutua gjerësisht mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe sfidat e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve demokratike dhe të shtetit të së drejtës.
Takimi i dytë u zhvillua me Kryetaren Rachel van Meetelen dhe anëtarët e Komisionit për Çështjet Europiane në Dhomën e Deputetëve të Holandës.

Në të dy takimet, përfaqësuesit e Partisë Demokratike ritheksuan mbështetjen e plotë për integrimin europian të Shqipërisë si një objektiv strategjik kombëtar, por mbi bazën e meritës, standardeve dhe reformave reale.

Deputetët e opozitës nënvizuan nevojën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, institucione të forta dhe të pavarura, garantimin e shtetit të së drejtës, ndarjen e pushteteve, si dhe një luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb