Në ditën e 18-të të protestës masive që ka mbërthyer kryeqytetin, eksperti i TI-së dhe aktivisti Gent Progni ka mbajtur një fjalim mjaft të fortë përpara turmës së mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Progni ka denoncuar presionet e jashtëzakonshme të strukturave shtetërore për të ndalur revoltën, por u shpreh i bindur se kauza qytetare tashmë është e pandalshme.
Aktivisti bëri një thirrje të hapur për të mos u përçarë nga sulmet kibernetike apo politike, duke goditur njëkohësisht të dyja palët e vjetra të politikës shqiptare.
Progni deklaroi se lufta që po bëhet në shesh është kundër një sistemi të organizuar kriminal dhe se mekanizmat e intimidimit ndaj tyre po dështojnë.
“Të gjithë mekanizmat e shtetit janë vendosur të na intimidojnë, të na bëjnë presione, por kam bindjen se policia është me ne, por janë të shtypur nga ky regjim. Këtu nuk jemi kundër administratës së ndershme që i bëjnë presion. Le të na i fshijnë rrjetet sociale se nuk jemi për ndjekës! Jemi pa parti, nuk jemi për fe, jemi të papërçarë, jemi bashkë për një qëllim”, tha ai.
Në një moment që shkaktoi brohoritje të mëdha në Bulevard, Progni kërkoi fundin e epokës së tranzicionit duke kërkuar drejtësi për krerët e dy kampeve kryesore politike dhe duke bërë thirrje për një model të ri shoqëror.
“Rama në burg, Berisha në burg! Këtu duhen intelektualë të penës dhe që kanë guxim, jemi në luftë me një sistem kriminal të organizuar. Jemi për familjen, për fëmijët pa hormone. Për një jetë të qetë, këtu jemi për të vërtetën që nuk shfaqet, jemi për të rinjtë e shkolluar që të mos ndjekin shembujt e gabuar. Jemi deri në fund të bashkuar!” – tha Progni.
