Në ditën e 18-të të qëndresës masive përpara Kryeministrisë, zëri i protestës ka shkuar direkt te sektori më i goditur nga kriza ekonomike, biznesi i ndershëm shqiptar.

Gjatë fjalimeve të mbajtura në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një nga protestuesit ka lëshuar një thirrje për të gjithë sipërmarrësit që po gjobiten dhe po falimentojnë nga sistemi korruptiv i gjobvënies shtetërore.

Protestuesi u ka kërkuar bizneseve një akt solidariteti në orën 19:00 të mbrëmjes së sotme, duke mbyllur aktivitetet për t’u vendosur në bulevard.

Me tone të ashpra ndaj Drejtorisë së Tatimeve, fjalimi ka vënë në dukje se si bizneset që përpiqen të mbijetojnë me punë të ndershme po mbyten qëllimisht nga korrupsioni institucional.

“U drejtohem bizneseve të këtij vendi, ju që punoni ndershëm, paguani taksat dhe ju falimentojnë tatimet e korruptuara. Çohuni nga kafja dhe në orën 19:00, në shenjë solidariteti, ulni qepenat dhe bashkohuni me ne. Nëse nuk bashkoheni sot, falimentimi ju pret nesër. Vetëm bashkë e ndryshojmë këtë sistem të kalbur deri në palcë”, u shpreh ai.

Sipas protestuesit, madhësia e turmës dhe qartësia e kauzës tashmë kanë futur në panik krerët e pushtetit, duke treguar se lëvizja ka arritur në një pikë ku kthimi pas është i pamundur.

“Kur e drejta flet kaq fort, kur turma është kaq e madhe dhe e vërteta kaq e qartë, edhe karriget fillojnë të dridhen. Kryeministri po na shikon dhe i dridhet karrigia! E drejta ka dalë dhe askush nuk e ndal dot, dhe vetëm ajo triumfon,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb