Parlamenti Europian nuk pyeti çfarë thotë gjyslykëkuq pelevrekziu. Pyeti çfarë thotë ligji. Pyeti çfarë thonë faktet. PE votoi. 483 pro, 103 kundër.
Lajmi nuk janë numrat. Lajmi është teksti. Rezoluta citon: moratorium i menjëhershëm për lejet dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura. Shfuqizim i ndryshimeve që hapën rrugën e betonizimit në Vjosë-Nartë. Pikërisht atë që kërkojnë protestuesit, prej javësh, në rrugët e Tiranës.
Gjyslykëkuqi e lexoi të njëjtin dokument dhe pa diçka tjetër. Tha se PE “ndau shapin nga sheqeri.” Tha se amendamenti u rrëzua. Ai po përpiqet që të gatuaj çorbën e rradhës. Por amendamenti i rrëzuar ishte ai që përmendte një emër. Jo ai që përmban kërkesën.
Parlamenti Europian nuk i paraqiti protestat si manipulim. Nuk i paraqiti si destabilizim. I paraqiti si paqësore. Si legjitime.
Ky është arti i vjetër i politikës së lodhur shqiptare: kur s’mund ta mohosh tërë rezultatin, zgjedh detajin që të nxjerr fitues dhe e kthen në titull. Por dokumenti mbetet dokument. Dhe dokumenti thotë: ndërtimet brenda zonës së mbrojtur janë shqetësim serioz. Ligji duhet shfuqizuar.
Nëse protestuesit paskan gabuar, pse Europa po kërkon pikërisht atë që kërkojnë ata? Vjosë-Narta nuk është më çështje vendore. Vjosë-Narta është simbol europian. Është bërë test për sundimin e ligjit. Kusht për rrugëtimin drejt BE-së.
Nuk hyhet në Bashkimin Europian duke dobësuar mbrojtjen e zonave që Europa i konsideron pasuri të vetat. Kjo s’është më një betejë për flamingot. Është një betejë për çfarë lloj shteti do të jetë Shqipëria nesër. Dhe këtu është fitorja e parë, jo e ndonjë partie. Këtu është fitorja e parë e shoqërisë civile.
Për herë të parë pas shumë vitesh, një mobilizim qytetar, jo-partiak, arriti në pak ditë atë që s’u arrit ndër dekada. Vendosi temën në qendër të debatit kombëtar. Tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Detyroi reagimin zyrtar të Parlamentit Europian. Kjo është fitorja e parë politike e kësaj proteste qytetare.
Asnjë parti nuk i organizoi. Asnjë lider nuk i udhëhoqi nga maja. E bëri qytetaria. E bëri rinia. E bëri këmbëngulja e njerëzve që s’kanë armë
tjetër veç pranisë së tyre.
Gjyslykëkuqi i futi “të gjitha në një thes”. “E bëri çorbën” dhe na e serviri sërish. Ndërkohë, PE e ndau “shapin nga sheqeri” dhe vlerat nga anti-vlerat. Ky është vetëm fillimi.
