Në një kohë kur çdo ditë pjesëmarrja në protestë kundër qeverisë, bëhet edhe më masive, kryeministri Edi Rama injoron protestuesit, ndërsa thotë se në Shqipëri nuk ka tubime. Gjatë një debati me gazetaren e CNN, Eleni Giokos, në një intervistë ku u diskutuan zhvillimet dhe perceptimi publik për situatën në Shqipëri, Rama tha se protesta të vendeve të tjera në botë, paraqiten si tubime që mbahen në Shqipëri.

Ai shënjestroi në akuza Iranin dhe luftën sipas tij përmes videove propaganduese që ky i fundit ka marrë.

“Sasia e dezinformatave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të tjera dhe të paraqitura si protesta në Shqipëri, sasia e bot-eve që kanë hyrë aty nga armiku ynë… Ne kemi një armik, i vetmi armik është Republika Islamike e Iranit, dhe ata kanë tre vjet që zhvillojnë një sulm kibernetik të pamëshirshëm kundër Shqipërisë dhe janë përfshirë edhe në këtë çështje. Kjo sasi çmendurie po gërryen demokracitë tona nga brenda dhe po e çon hapësirën europiane në drejtime që, më shpejt sesa vonë, do të shkatërrojnë plotësisht ndjesinë e politikës, vendimmarrjes dhe kompromisit në këtë pjesë të botës. Prandaj është koha që demokracitë të mos besojnë më se ‘liria e shtrirjes së informacionit’ është një zgjatim i lirisë së shprehjes. Liria e shtrirjes së informacionit është ajo që çdo regjim, përmes propagandës, ka përdorur për të futur gënjeshtrën në çdo mendje.”, tha ai.

Jo vetëm që kryeministri Rama nuk reagon ndaj kërkesave që protestuesit kërkojnë prej 18 ditësh, por guxon dhe manipulon deri aty sa pohon se në Shqipëri nuk ka protesta, duke shtuar se ka vetëm disa të indinjuar. Kujtojmë se prej 18 ditësh, Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ zien nga protestat, ndërsa sheshi mbushet plot me qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Dhe sot në orën 19:00 është njoftuar protesta e radhës, për të cilën flasin dhe mediat botërore më në zë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: