Një tjetër mesazh me tone të forta mobilizimi dhe qëndrese është përcjellë përpara godinës së Kryeministrisë nga ish-drejtuesi i policisë, Krenar Ahmeti. Ai iu drejtua mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard me një thirrje të prerë për të mos u zmbrapsur, duke e krahasuar lëvizjen aktuale qytetare me lindjen e një epoke të re për vendin.

Ahmeti u kërkoi protestuesve që të tregojnë qëndresë deri në fund, duke paralajmëruar se një tërheqje e mundshme do të sillte pasoja afatgjata për të ardhmen e tyre.

“O popull i bukur, këtu ka lindur një foshnjë, quhet Shqipëria e re. Shqipëri e re! Shqipëri e re! Mos u tërhiqni. Mos e lini me vdek këtë foshnjë. Nëse tërhiqeni, mbaheni vath në vesh, 35 vjet mos u ankoni më,” deklaroi ish-polici.

Me tone mjaft energjike, ai insistoi që sheshi të mos braktiset dhe qëndresa përpara institucionit të vijojë me të njëjtën vendosmëri.

“Burra, frontin mos ma lëshoni! Burra, mos e lëshoni frontin! Rroftë Shqipëria e re!” përfundoi Krenar Ahmeti mes brohoritjeve të shumta të turmës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb