Eksperti i IT-së dhe një nga zërat aktivë të qëndresës qytetare, Gent Progni, ka lëshuar një deklaratë të fortë nga podiumi përpara Kryeministrisë, duke zbuluar tentativat e autoriteteve për të sabotuar protestën, si dhe një aksion të ri kundër strukturave të patronazhistëve në rrjetet sociale.

Progni u shpreh se frika e pushtetit ndaj qytetarëve është e madhe dhe kjo u vërtetua edhe me pengesat që policia u mundua të ngrinte gjatë ditës së sotme.

“E dini sa frikë na kanë pasur dje? Janë tmerruar. Sot policia u mundua të na ndalonte gjeneratorin sepse nuk donin të mblidheshim prapë. Na kanë shumë frikë, më besoni!” tha Progni.

Më tej, ai u ndal te komentet negative dhe fushata e denigrimit që po bëhet në rrjetet sociale kundër lëvizjes qytetare, duke udhëzuar protestuesit se si të veprojnë me profilet false që tentojnë të krijojnë përçarje.

“Dua të flas pak për patronazhistët. Ju lutem kontrolloni çdo koment negativ për protestën dhe shikoni profilet, janë të gjitha profile fake. Të gjithëve duhet t’u bëjmë block që të mos bëjnë përçarje!” u bëri thirrje ai qytetarëve.

Në mbyllje të fjalës së tij, Progni dha një paralajmërim të prerë për të gjithë ata që janë pjesë e këtyre strukturave të monitorimit dhe propagandës, duke deklaruar se shumë shpejt të dhënat e tyre do të bëhen publike.

“Kam edhe një mesazh për ta. Sot ju kemi zbuluar databazën e re dhe do t’iu nxjerrim me emër e do ju degjenerojmë të gjithëve!” përfundoi Progni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb