Shoqëria Riviera Kakome sh.p.k. ka reaguar pas incidenteve të ndodhura dje në zonën e Kakomesë, duke denoncuar atë që e cilëson si një akt të dhunshëm ndaj pronës së saj private dhe duke hedhur poshtë pretendimet se qytetarëve u është penguar hyrja në plazh.
Në një deklaratë publike, kompania thotë se disa dhjetëra persona, të pajisur me varre dhe mjete të tjera, kanë hyrë në territorin e pronës duke dëmtuar portën, rrethimin, kabinën e rojeve dhe objekte të tjera. Sipas saj, për incidentin janë mbledhur prova dhe do të ndiqen procedurat ligjore ndaj personave përgjegjës.
Riviera Kakome kundërshton gjithashtu pretendimet se aksesit në plazh i është vënë pengesë. Kompania shprehet se kufizimi vlen vetëm për hyrjen në truallin privat të rrethuar me leje ndërtimi, ndërsa rruga që të çon drejt plazhit ka mbetur e hapur dhe përdorimi i tij ka qenë i lirë.
Në deklaratë hidhen poshtë edhe pretendimet se banorët e Nivicës janë pronarë të tokës në Kakome. Sipas kompanisë, çështjet e pronësisë janë shqyrtuar në sistemin gjyqësor dhe pretendimet për këto prona janë rrëzuar, ndërsa ajo argumenton se trualli ku zhvillohet projekti nuk ka qenë pjesë e pronave të pretenduara nga grupi që e kundërshton investimin.
Në përfundim, Riviera Kakome i bën thirrje institucioneve shtetërore të hetojnë ngjarjen dhe të ndëshkojnë autorët e dëmtimeve, duke theksuar se sulmet ndaj pronës private dhe investimeve krijojnë pasiguri juridike dhe dëmtojnë klimën e biznesit dhe zhvillimin e turizmit në zonë.
