Senati i Shteteve të Bashkuara, i kontrolluar nga republikanët, ka miratuar një rezolutë që i kërkon presidentit Donald Trump të ndalojë veprimet ushtarake në Iran ose të kërkojë miratimin e Kongresit përpara çdo përshkallëzimi të mëtejshëm. Rezoluta u miratua me votim të ngushtë 50–48, ku një numër i vogël republikanësh iu bashkuan demokratëve. Më herët, e njëjta masë ishte kaluar edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Megjithatë, dokumenti është kryesisht simbolik, pasi nuk ka fuqi ligjore dhe nuk i dërgohet presidentit për nënshkrim, duke e kufizuar ndikimin e tij praktik. Presidenti Trump e kritikoi ashpër vendimin, duke e cilësuar “të pavend dhe të pakuptimtë”, ndërsa akuzoi senatorët se po i vështirësojnë menaxhimin e situatës me Iranin. “E kam Iranin në ‘litarë’… dhe Senati zgjedh të mbajë një votim në kohën e gabuar”, shkroi ai në rrjetin e tij social Truth Social. Votimi shënon një nga rastet e rralla kur të dy dhomat e Kongresit miratojnë një rezolutë që synon kufizimin e veprimeve ushtarake presidenciale, në bazë të Rezolutës së Fuqive të Luftës së vitit 1973.
Katër senatorë republikanë – Rand Paul, Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Bill Cassidy – votuan në favor të rezolutës, ndërsa demokrati John Fetterman ishte i vetmi nga partia e tij që votoi kundër. Analistët e kanë përshkruar masën si një sinjal politik më shumë sesa një kufizim real ligjor mbi Shtëpinë e Bardhë, por që reflekton rritjen e skepticizmit në Kongres dhe pakënaqësinë e një pjese të opinionit publik ndaj konfliktit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, me një armëpushim të rënë dakord më herët nuk ekziston aktualisht një situatë aktive luftimesh nga e cila tërheqja do të ishte e nevojshme, duke minimizuar rëndësinë e rezolutës. Debati vjen në një moment të tensionuar për politikën e jashtme amerikane, ndërsa Kongresi dhe administrata përplasen mbi kufijtë e kompetencave për vendimmarrje ushtarake dhe mbi drejtimin e konfliktit me Iranin.
