Gazetarja Denada Jushi ka deklaruar se protesta qytetare ka hyrë tashmë në një fazë të re, duke theksuar se kauza e saj ka tejkaluar çështjen e Zvërnecit dhe është shndërruar në një zë për problemet e përditshme të qytetarëve.
Sipas saj, protesta ka ardhur si pasojë e mungesës së debatit real politik dhe parlamentar për shqetësimet e vendit.
“Ja ku jemi në ditën e 25 të protestës. Në atë që kam dëgjuar dhe parë, shoh qytetarë që tashmë nisin nga një kauzë që ka shkuar më tej se Zvërneci, por lidhet me problematikat e tyre. Vendi ku do të duhej të diskutoheshin çdo ditë problematikat e vendit nuk ishte duke ndodhur prej vitesh. Po i referohem jetës parlamentare. Kur kjo gjë nuk bëhet nga të zgjedhurit e shoqërisë, do të gjendet një formë tjetër, që është forma më demokratike, protesta”, u shpreh Kola në “Programin e drekës” në News24.
Ajo e cilësoi rikthimin e protestave si një zhvillim të pazakontë pas viteve të mungesës së mobilizimeve qytetare, duke shtuar se realiteti në terren, veçanërisht jashtë Tiranës, tregon problematika të shumta që, sipas saj, nuk përputhen me propagandën zyrtare.
“Ky është një standard që është vendosur në këtë rast sa herë ka diskutime. Nëse del në terren, sidomos jashtë Tiranës, vihen re problematikat e mëdha. Propaganda nuk ishte ajo që shitej. Mjaftoi një moment, një diskutim për natyrën, që të rridhte e gjithë kjo”, deklaroi gazetarja.
