Ish-ambasadori Roland Bimo ka komentuar protestat e vazhdueshme kundër kryeministrit Edi Rama, duke kritikuar qëndrimin e deputetëve dhe anëtarëve të Partisë Socialiste, të cilët sipas tij po vazhdojnë t’i dalin në mbrojtje kreut të qeverisë pavarësisht pakënaqësive qytetare.

I ftuar në një emision televiziv, Bimo bëri një krahasim të fortë mes sjelljes së socialistëve sot dhe asaj të anëtarëve të Partisë së Punës në vitet e fundit të regjimit komunist.

“Kam përshtypjen se me kalimin e kohës anëtarëve të Partisë Socialiste do t’u vijë turp, ashtu siç u erdhi turp anëtarëve të Partisë së Punës në vitet 1989-1991, kur i shërbenin me shumë zell një partie së cilës i kishte kaluar koha. Edhe sot anëtarët e Partisë Socialiste po i shërbejnë me zell një force politike që jo domosdoshmërisht i ka kaluar koha si formacion politik, por i ka kaluar koha si mënyrë sjelljeje përballë qytetarëve të vet”, u shpreh Bimo.

Sipas ish-ambasadorit, Partia Socialiste dikur përfaqësonte progresin, zhvillimin dhe përparimin, por sot po përballet me një realitet tjetër, ku qytetarët po reagojnë gjithnjë e më fort ndaj mënyrës së qeverisjes dhe raportit të saj me publikun

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb