As reshjet e shiut që kanë nisur pak më parë në kryeqytet nuk e kanë zbehur revoltën qytetare. Ka nisur dita e 25-të e protestës masive para Kryeministrisë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur sërish për të kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Një prej protestuesve pasi ka përsëritur kërkesat e revoltës, ka paralajmëruar përshkallëzimin e protestës deri në bllokimin e institucioneve.

“Shqiptarët nuk do tolerojnë më këta të korruptuar që nuk shkulen nga institucionet. Përshkallëzimi do shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse këta zyrtarë të korruptuar do i uzurpojnë ato me dhunë”, u shpreh ai.

Sakaq, protestuesit kanë renditur sërish në mënyrë të prerë pikat e panegociueshme, ku në krye qëndron largimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe instalimi i një kabineti teknik për të përgatitur zgjedhjet.

Kërkesat kryesore të rilexuara sot në shesh:

Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama.

Krijimi i një qeverie teknike me një mandat të qartë 12-mujor.

Ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe ligjore, ku përfshihen:

Reformimi i plotë i Kodit Zgjedhor;

Rregulla të reja e të rrepta për financimin e partive politike;

Kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum vetëm dy mandate.

Anulimi urgjent i politikave dhe ligjeve që dëmtojnë interesin publik, konkretisht:

Ligji për Zonat e Mbrojtura;

Ligji për Trashëgiminë Kulturore;

E ashtuquajtura “Paketa e Maleve”;

Ligji për Statusin e Investitorëve Strategjikë.

Hartimi i një kontrate të re sociale mes qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb