Dita e 25-të e protestës masive përpara Kryeministrisë ka sjellë në podium jo vetëm qytetarë të thjeshtë, por edhe figura të artit e intelektualë që jetojnë jashtë kufijve. Vëmendjen maksimale të turmës në Bulevard e ka marrë fjalimi i një sopranoje shqiptare, e cila ka jetuar prej vitesh në Francë, por që sot ka vendosur t’i bashkohet qëndresës qytetare nën rrebeshin e shiut.

Nga mikrofoni i protestës, artistja ka zbuluar një detaj të pathënë më parë nga rinia e tyre, duke kujtuar kohën kur studionte së bashku me kryeministrin Edi Rama në Akademinë e Arteve. Ajo i ka drejtuar një mesazh të prerë dhe plot ironi therëse ish-shokut të saj të klasës, duke përdorur një krahasim me figurat e diktaturës komuniste.

Sopranoja kujtoi periudhën e rinisë kur Rama mbante qëndrime liberale dhe u kërkonte studenteve të mos ndiqnin modën e ngurtë të zyrtareve të regjimit komunist, siç ishte anëtarja e Byronë Politike, Lenka Çuko. Sipas saj, sot kryeministri ka përfunduar në të njëjtat pozita autokratike e të vjetruara.

“Rroftë Shqipëria! Jam këtu për të të thënë ty Edi Rama: kemi qenë në akademi bashkë dhe njihemi shumë mirë. Je një intelektual, por ti që na flisje dikur dhe na thoshe shoqeve të klasës ‘mos u vishni si Lenka Çuko’, sot ke përfunduar vetë më keq se kostumet e Lenka Çukos”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb