Dy punonjës ukrainas të OJQ-së norvegjeze Norsk Folkehjelp u vranë dhe katër të tjerë u plagosën sot nga një sulm rus në rajonin e Khersonit (jug), sipas autoriteteve lokale.
“Gjashtë nga stafi ynë u goditën dhe njëri prej tyre vdiq”, tha më parë për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) Boyar Khodja, kreu i misionit të kësaj OJQ-je të specializuar në operacionet e çminimit, duke shtuar se njëri nga të plagosurit ishte në gjendje kritike.
Më vonë, kreu i komandës ushtarake në Kherson, Oleksandr Prokudin, raportoi se një punonjës i dytë i Norsk Folkehjelp kishte ndërruar jetë nga plagët e marra.
“Mjekët bënë përpjekje të dëshpëruara për ta mbajtur gjallë 25-vjeçarin”, por ato nuk patën sukses, tha ai nëpërmjet Telegram, duke shtuar se viktimat ishin “specialistë të çminimit”.
Sulmi rus ndodhi në fshatin Novopetrivka, rreth 40 kilometra nga vija e frontit të luftimeve, tha Prokudin.
Zyra e prokurorit rajonal i tha AFP-së se ishte një “sulm me raketa”.
Boyar Hodja vlerësoi se mund të jenë përdorur municione thërrmuese, duke vënë në dukje se nuk u dëgjuan sirena.
Një njoftim për shtyp nga Norsk Folkehjelp thotë se organizata joqeveritare punëson më shumë se 450 punonjës në Ukrainë.
Rajoni i Khersonit, një pjesë e të cilit është nën pushtimin rus, është shpesh shënjestër e sulmeve, kryesisht nga dronë.
Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, disa organizata joqeveritare kanë qenë shënjestër e sulmeve ruse.
Në maj, një automjet i misionit humanitar të OKB-së u godit nga dronë rusë në Kherson.
Në shtator 2025, dy punonjës të Këshillit Danez për Refugjatët (DRC) u vranë në Chernihiv.
Në shkurt 2024, dy punonjës të HEKS/EPER zviceran u vranë në rajonin e Khersonit.
