Gjermania është kthyer në një nga qendrat kryesore të tranzitit të ketaminës ilegale në Evropë, sipas një raporti të ri të publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC). Dokumenti vë në pah rritjen e përdorimit të kësaj substance në të gjithë kontinentin dhe zgjerimin e tregut të saj të paligjshëm.

Në raportin Botëror për Drogën, Gjermania renditet e dyta në Evropë pas Holanda për rolin si vend tranzit i ketaminës. Autorët e raportit theksojnë se substanca, e përdorur prej dekadash në mjekësi si anestetik dhe qetësues dhimbjesh, po konsumohet gjithnjë e më shumë edhe si drogë rekreative.

Ekspertët e OKB-së paralajmërojnë se një pjesë e madhe e ketaminës së paligjshme që qarkullon në tregun evropian vjen nga kanale prodhimi të ligjshëm në India, e cila më pas devijohet drejt rrjeteve kriminale.

Raporti thekson gjithashtu një rritje të rasteve të vdekjeve të lidhura me ketaminën në Gjermani, duke ngritur shqetësime për përhapjen e saj përmes platformave të mediave sociale, ku droga po shitet dhe shpërndahet më lehtë.

Sipas OKB-së, trendi tregon një zgjerim të dukshëm të përdorimit të ketaminës në Evropë, duke e bërë atë një nga sfidat në rritje për autoritetet e rendit dhe shëndetit publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: