Nga Genc Burimi
Medalja që ish-presidenti francez pranoi nga duart e Edi Ramës në Tiranë kur populli thërret në rrugë që prej një muaji “poshtë regjimi” duhet ta bëjë diasporën të kalojë në një stad tjetër veprimi.
Me naivitet apo me qëllim liderët perëndimorë nuk duan të shikojnë se në Shqipëri ka një problem regjimi. Artikujt e panumërt në shtypin botëror e vënë theksin tek mobilizimi për një kauzë ambientaliste. Ky mit i rrezikshëm për kauzën reale të protestave në Shqipëri duhet thyer një orë e më parë.
Cila figurë e lartë europiane do të kishte guxuar të shkonte të merrte një medalje nga duart e Ben Ali gjatë revolucionit të pranverës arabe në Tunizi? Shqipëria nuk ka problem autokracie mendojnë disa gabimisht, dhe kjo i shtyn disa liderë perëndimorë të vazhdojnë t’i shtrojnë qilimin e kuq Edi Ramës në kryeqytetet e tyre apo të ecin vetë mbi të njëjtin qilim që u shtron atyre në Tiranë personaliteti më i urryer i dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë.
Që t’i hapen sytë botës që një revolucion i dyfishtë po ndodh në Shqipëri, ai për ruajtjen e tokës dhe natyrës, por dhe ai për ruajtjen e demokracisë së fituar me mund e sakrifica më 1991, ka dhe një rrugë tjetër: të rezervohen me pagesë një faqe në çdo gazetë të madhe europiane ku të bëhet thirrja: mos mbështesni autokratin e Tiranës, mbroni ëndrrën e shqiptarëve për demokraci. Një gjë të thjeshtë duhet të mësojë opinioni publik ndërkombëtar: përtej zhdukjes së programuar të flamingove rozë, janë zgjedhjet që janë asgjësuar në Shqipëri dhe bashkë me to, motori kryesor i demokracisë, rotacioni. Nuk është e rastësishme që në dy autokracitë e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri dhe Serbi, liderët respektivë janë në pushtet që prej një dekade e gjysmë.
Në këto vende nuk ndodhin zgjedhje por votime sa për të kaluar radhën. Nuk është e rastësishme po ashtu që në këto dy vende ballkanike rinitë respektive janë në revolucione antiqeveritare. Por ka një dallim. Në lidhje me Shqipërinë, jo vetëm që nuk ka asnjë kritikë nga liderët perëndimorë siç ka patur ndaj Serbisë, por i tregohet përkrahja më e madhe Edi Ramës bash në momentin ku ndodh dhe mobilizimi më i madh i shqiptarëve kundra liderit të tyre të gjithpushtetshëm.
Ky imazh fals se Rama po pëson një revolucion ambientalist dhe jo politik duhet thyer me artikuj nga shqiptarët në gazetat e botës falë një fondi që duhet të krijohet për këtë qëllim.
