Historia e degëve të Partisë Demokratike në Diasporë nuk është një histori e njëtrajtshme. Ajo ka rrugëtime të ndryshme, njerëz të ndryshëm dhe, mbi të gjitha, motive të ndryshme që kanë shtyrë demokratët shqiptarë jashtë vendit të organizohen politikisht. Megjithatë, në një vështrim më të gjerë, kjo histori mund të ndahet në dy periudha: periudha e drejtimit të Lulzim Bashës dhe periudha që pasoi me rikthimin e Sali Berishës përmes procesit të Rithemelimit.

Për degën e Ligurias, historia është e qartë dhe ka një pikënisje konkrete. Ajo u krijua për herë të parë me nismën time, në një kohë kur shumë demokratë shqiptarë, si mijëra të tjerë, kishin marrë rrugën e emigracionit jo për të braktisur bindjet e tyre politike, por për të kërkuar një jetë më të mirë. Ideja ishte e thjeshtë: nëse këta njerëz vazhdonin të ishin demokratë, atëherë duhej të kishin edhe një hapësirë organizative dhe politike ku të përfaqësoheshin.

Në fakt, ky ishte edhe një prej motiveve që më kishte shtyrë prej vitesh të angazhohesha në çështjen e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Që prej vitit 2008, kam qenë ndër ata që në mënyrë të vazhdueshme e kanë ngritur këtë çështje si një të drejtë themelore politike dhe kushtetuese. Për këtë arsye, krijimi i degës së PD-së në Liguria nuk ishte një projekt karriere dhe as një përpjekje për të krijuar një strukturë formale partie jashtë Shqipërisë. Ishte, para së gjithash, një përpjekje për t’u dhënë një zë demokratëve shqiptarë që jetonin në këtë pjesë të Italisë.

Gjithçka u organizua dhe u ndërtua nga vetë demokratët. Pa mbështetje konkrete, financiare apo organizative nga Selia e PD-së në Tiranë. Ishte një strukturë e ngritur nga poshtë, nga njerëz që kishin besuar te një ide politike dhe që, pavarësisht emigrimit, nuk e kishin ndërprerë lidhjen e tyre me Shqipërinë dhe me bindjet e tyre.

Por shumë shpejt kuptova se problemi ishte më i madh se organizimi i një dege.

Në dy Kuvende të PD-së, në atë kohë, ngrita publikisht një shqetësim që për mua ishte dhe mbetet thelbësor: Diaspora nuk mund të trajtohej si një shtojcë e politikës shqiptare. Ajo duhej të bëhej pjesë e saj. Në një parti që pretendonte të përfaqësonte demokratët shqiptarë, qindra mijëra apo miliona shqiptarë që jetonin jashtë vendit nuk mund të trajtoheshin si një grup që kujtohej vetëm në periudha zgjedhore.

Pikërisht këtu nisi edhe kritika ime ndaj mënyrës se si PD-ja e konceptonte Diasporën. Vëmendja ndaj saj ishte thuajse zero. Diskursi politik nuk shoqërohej me një program të qartë, me struktura funksionale dhe me një vizion për përfaqësimin e shqiptarëve jashtë vendit.

Në vitin 2021, pas konfirmimit të parimit “një anëtar, një votë”, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku ishin të pranishëm edhe Lulzim Basha edhe Sali Berisha, në atë kohë ende bashkë brenda së njëjtës strukturë politike, kundërshtova një tjetër vendimmarrje që e konsideroja simbolike për mënyrën se si trajtohej Diaspora.

Në Kuvend ishin të pranishëm tre kryetarë të degëve të PD-së jashtë Shqipërisë. Sipas logjikës politike dhe përfaqësuese, të paktën njëri prej tyre duhej të kishte përgjegjësi të drejtpërdrejtë për Diasporën, përfshirë edhe mundësinë që të merrte detyrën e Sekretarit për Diasporën. Në vend të kësaj, u zgjodh një person që, sipas gjykimit tim, nuk kishte lidhjen e nevojshme me realitetin e emigracionit.

Kjo nuk ishte thjesht një çështje emrash. Ishte një çështje parimi.

Nëse një parti politike pretendon se do të përfaqësojë shqiptarët jashtë vendit, atëherë ata që jetojnë, punojnë dhe organizohen jashtë Shqipërisë duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes së saj. Përndryshe, çdo deklaratë për rëndësinë e Diasporës mbetet vetëm retorikë.

Për këtë arsye kam kërkuar vazhdimisht që të paktën njëri prej kryetarëve të degëve jashtë Shqipërisë të ishte pjesë e Kryesisë së PD-së. Jo për një privilegj personal. Jo për një post. Por si një sinjal politik që do të tregonte se partia kishte ndryshuar realisht qasje ndaj shqiptarëve jashtë vendit.

Kjo nuk ndodhi.

Nuk ndodhi as në kohën kur Basha dhe Berisha ishin ende bashkë. Nuk ndodhi as gjatë periudhës kur kryetar i PD-së konsiderohej Basha. Dhe pikërisht këtu qëndron një prej problemeve që kam ngritur në mënyrë të përsëritur: PD-ja nuk e kishte marrë seriozisht çështjen e Diasporës.

Nuk mjafton të krijosh një degë në Itali, Greqi, Gjermani, Angli apo Shtetet e Bashkuara. Nuk mjafton të emërosh një drejtues. Nuk mjafton të organizosh një takim apo një fotografi kolektive.

Diaspora kërkon politikë.

Kërkon përfaqësim.

Kërkon të drejtën e votës.

Kërkon politika publike për emigracionin.

Kërkon lidhje institucionale me shtetin shqiptar.

Kërkon një vizion për rikthimin e kapitalit njerëzor dhe ekonomik të emigrantëve.

Dhe, mbi të gjitha, kërkon të mos trajtohet si një rezervuar elektoral që aktivizohet vetëm kur afrohen zgjedhjet.

Me rikthimin e Sali Berishës dhe procesin e Rithemelimit, për mua u vendos një kufi i qartë politik. Duke qenë koherent me qëndrimet e mia, nuk pranova më të identifikohesha me PD-në në atë formë dhe, pasi Berisha mori legjitimitetin përfundimtar mbi drejtimin e saj, dhashë dorëheqjen nga çdo angazhim në strukturat e partisë.

Ky ishte një vendim politik dhe personal. Nuk ishte një vendim kundër njerëzve që kishin zgjedhur të mbështesnin Berishën. Secili ka të drejtë të zgjedhë bindjen dhe liderin politik që beson.

Problemi qëndronte diku tjetër.

Rikthimi i Berishës u perceptua nga disa si një mundësi e re. Për disa, krijimi apo riorganizimi i degëve të PD-së jashtë Shqipërisë u shndërrua në një hapësirë të re politike dhe, në disa raste, edhe në një mundësi për karrierë.

Kjo është e kuptueshme në politikë. Njerëzit angazhohen, mbështesin një lider, organizohen dhe kërkojnë të marrin përgjegjësi.

Por, në gjykimin tim, shumë prej tyre nuk e kishin kuptuar problemin themelor.

Çështja nuk ishte vetëm Berisha.

Çështja ishte vetë modeli i PD-së ndaj Diasporës.

Sepse, nëse një parti nuk e ka pasur seriozisht për vite me radhë përfaqësimin politik të shqiptarëve jashtë vendit, ndryshimi i kryetarit nuk e zgjidh automatikisht problemin.

Mund të ndryshojnë emrat. Mund të ndryshojnë strukturat. Mund të ndryshojë mënyra e organizimit. Mund të krijohen “degë”, “organizime” apo struktura të reja. Por nëse nuk ndryshon qasja politike ndaj Diasporës, atëherë kemi thjesht një riorganizim administrativ dhe jo një ndryshim politik.

Sot është interesante të shohësh se një pjesë e atyre që mbështetën rikthimin e Berishës dhe morën role drejtuese në degë apo struktura jashtë Shqipërisë, shfaqin pakënaqësi të mëdha. Disa kanë dhënë edhe dorëheqjen, duke e lidhur këtë me mungesën e meritokracisë.

Kjo nuk duhet të na habisë.

Mungesa e meritokracisë është një problem i vjetër i politikës shqiptare. Është një sëmundje që nuk njeh parti, krah apo lider. Në politikën shqiptare shpesh nuk mjafton të kesh punuar, të kesh kontribuar apo të kesh ndërtuar një strukturë nga e para. Më shumë rëndësi mund të ketë afërsia me qendrën e pushtetit, mbështetja ndaj një lideri apo përkatësia në një rreth të caktuar.

Por këtu qëndron edhe paradoksi.

Shumë prej njerëzve që sot janë të zhgënjyer, dje besonin se ndryshimi i strukturës do të sillte edhe ndryshimin e këtij modeli. Në disa raste, ata besuan se Rithemelimi do të krijonte një hapësirë të re për meritën, kontributin dhe përfaqësimin.

Nëse kjo nuk ndodhi, atëherë duhet të shtrohet pyetja më e rëndësishme: a ishte problemi vetëm te njerëzit që morën postet apo te vetë mënyra se si partitë shqiptare ndërtojnë marrëdhënien me strukturat e tyre jashtë vendit?

Për mua, përgjigjja është e dyta.

Megjithatë, do të ishte e padrejtë që të gjithë ata që u angazhuan në krijimin dhe riorganizimin e strukturave të PD-së në Diasporë të shihen vetëm përmes kësaj lenteje.

Shumë prej tyre, përfshirë edhe mua, i përkasin një kategorie tjetër: idealistëve.

Njerëzve që kanë besuar realisht te një ide politike.

Njerëzve që nuk e kanë parë emigracionin si fundin e marrëdhënies me Shqipërinë.

Njerëzve që kanë menduar se demokracia shqiptare mund të ndërtohej edhe përtej kufijve territorialë të vendit.

Njerëzve që kanë besuar se një demokrat që jeton në Genova, Milano, Londër, Athinë, Berlin apo Nju Jork nuk është më pak demokrat vetëm sepse jeta e ka çuar jashtë Shqipërisë.

Këta njerëz kanë krijuar struktura, kanë organizuar takime, kanë mbledhur njerëz, kanë paguar nga xhepi, kanë udhëtuar, kanë komunikuar dhe kanë mbajtur gjallë një lidhje politike që në shumë raste partitë shqiptare e kanë kërkuar vetëm në prag të zgjedhjeve.

Prandaj historia e PD-së në Diasporë nuk mund të shkruhet vetëm si histori postesh, emërimesh dhe riorganizimesh.

Ajo duhet të shkruhet edhe si histori e njerëzve që besuan.

Dhe pikërisht këtu qëndron edhe mësimi më i madh.

Nëse PD-ja dhe partitë e tjera shqiptare duan realisht të ndërtojnë një marrëdhënie të re me Diasporën, duhet të heqin dorë nga ideja se emigrantët janë vetëm vota jashtë territorit të Shqipërisë. Ata janë qytetarë me interesa, ide, përvoja, profesion, kapital ekonomik dhe kapital politik.

Diaspora nuk ka nevojë për dekor politik.

Ka nevojë për përfaqësim.

Nuk ka nevojë për tituj.

Ka nevojë për përgjegjësi.

Nuk ka nevojë për struktura që aktivizohen vetëm gjatë fushatave.

Ka nevojë për një politikë të qëndrueshme.

Dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë për premtime të reja. Ka nevojë që partitë shqiptare të kuptojnë se shqiptarët jashtë vendit janë tashmë një pjesë e pandashme e realitetit politik, ekonomik dhe shoqëror shqiptar.

Nëse këtë nuk e kuptojnë, atëherë çdo “Rithemelim”, çdo “riorganizim” dhe çdo strukturë e re do të mbetet vetëm një ndryshim fasade.

Sepse problemi i Diasporës nuk është se kush e drejton degën.

Problemi është nëse Diaspora ka apo jo një vend real në politikën shqiptare.

Dhe për këtë pyetje, deri tani, përgjigjja e partive shqiptare ka qenë shumë më e dobët sesa retorika e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb