Juventusi po ndjek me vëmendje Botërorin jo vetëm për të vlerësuar lojtarët që ka në objektivat e merkatos, por edhe për të monitoruar emra të rinj që mund të përforcojnë skuadrën. Në krye të listës mbetet Brahim Diaz, i cili ka spikatur me Marokun, por e ardhmja e tij vazhdon të jetë e paqartë, pasi mesfushori ofensiv nuk është ende i bindur të largohet nga Real Madridi.

Për këtë arsye, bardhezinjtë po shqyrtojnë alternativa dhe një nga emrat që ka dalë në skenë gjatë bisedimeve me PSG-në për Randal Kolo Muanin është ai i Li KangIn. Koreano-jugori i lindur në vitin 2001 konsiderohet një profil i përshtatshëm për repartin ofensiv, falë aftësisë për të luajtur si fantazist apo në krahun e djathtë.

Bisedimet mes Juventusit dhe PSG-së për Kolo Muanin vazhdojnë, megjithëse palët mbeten larg marrëveshjes. Francezët kërkojnë rreth 40 milionë euro për sulmuesin, ndërsa torinezët preferojnë formulën e huazimit me detyrim blerjeje. Në këtë sfond, emri i Li Kang-In po fiton gjithnjë e më shumë terren. I rritur te Valencia, ku debutoi në ekipin e parë vetëm 17 vjeç, Li kaloi më pas te Majorka, përpara se PSG ta blinte në vitin 2023 për 22 milionë euro.

Në sezonin e fundit ai regjistroi 4 gola dhe 5 asistime, ndërsa shquhet për teknikën, mbrojtjen e topit dhe cilësinë në pasimin e fundit. Për 25- vjeçarin interesohen edhe klube të tjera të mëdha, mes tyre Atletiko Madrid, por Juventusi vazhdon ta ndjekë me kujdes, duke e konsideruar si një alternativë serioze nëse pista Brahim Diaz nuk konkretizohet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb