Një zjarr ka përfshirë një magazinë bujqësore në fshatin Savër të Lushnjes, duke shkaktuar alarm dhe panik tek banorët e zonës. Si pasojë e flakëve të mëdha, fatmirësisht raportohet se ka vetëm dëme materiale dhe nuk ka njerëz të lënduar.

Gazetari i Balkanweb mëson se në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy autoambulanca të spitalit të Lushnjes. Ekipet mjekësore u kanë dhënë ndihmën e parë familjarëve të cilët kanë shtëpitë e tyre të banimit ngjitur me kompleksin bujqësor dhe janë prekur nga situata e krijuar.

Përballë rrezikut serioz të përhapjes së zjarrit drejt zonës së banuar, dy mjete zjarrfikëse të bashkisë Lushnje kanë ndërhyrë me shpejtësi në vatrën e flakëve.

Efektivët e shërbimit zjarrfikës kanë bërë të mundur izolimin e plotë të zonës që po digjej, duke parandaluar kështu një katastrofë të mundshme dhe duke mos lejuar që zjarri të përpinte shtëpitë e banimit që ndodheshin fare pranë.

Ndërkohë, grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur shkaqet e plota të rënies së zjarrit në këtë magazinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb