Në ditën e 28-të të qëndresës kombëtare, përpara godinës së kryeministrisë kanë nisur fjalimet e para të aktivistëve dhe qytetarëve të revoltuar. Mes shumë zërave që kanë ngjitur shkallët e tribunës së improvizuar, vëmendjen e të gjithëve e ka tërhequr një i ri britanik, i cili ka marrë fjalën duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për kauzën e protestuesve.
Shtetasi i huaj ka udhëtuar posaçërisht nga Mbretëria e Bashkuar për të qenë i pranishëm në këtë tubim madhështor, duke sfiduar hapur deklaratat e fundit të kreut të ekzekutivit.
Gjatë fjalës së tij përpara mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevardin Dëshmorët e Kombit, i riu anglez ka sulmuar drejtpërdrejt narrativën e qeverisë, e cila ka pretenduar se protestat po dëmtojnë imazhin e vendit dhe po largojnë vizitorët e huaj.
“Edi Rama tha se turistët janë të trembur të vijnë se ka protesta këtu. Unë erdha nga Mbretëria e Bashkuar për të thënë këtu se ato janë broçkulla!”, deklaroi i riu britanik, duke u pritur me brohoritje të mëdha nga turma.
Më tej, në fjalimin e tij që ka krijuar mjaft entuziazëm në shesh, ai u ndal te pasuritë natyrore të Shqipërisë, duke bërë thirrje që vendi të mbrohet nga tjetërsimi i pronave dhe projekteve korruptive.
Ai zgjodhi ta mbyllte fjalën e tij me thirrje të qarta në gjuhën shqipe, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të kryeministrit nga zyra e tij.
“Ky vend është shumë i bukur për ta shitur! Edi Rama jep dorëheqjen! Shqipëri e re!”, ishin fjalët e tij përmbyllëse që kanë ndezur atmosferën përpara kryeministrisë.
