Aktivisti Edison Lika në podiumin para Kryeministrisë ngriti çështjen e librit “The Albanian Files” që përmban projektet që do të ndërtohen në bashkëpunim me një grup arkitektësh ndërkombëtarë. Ai tha se Rama ka vendosur se çfarë do të bëhet me Shqipërinë në 100 vite. Aktivisti deklaroi se në Serbi rezistenca arriti të largonte Vuçiçin dhe edhe Rama do të largohet pasi nuk do të largohen nga sheshi.
“Ata menduan se ne do të lodheshim, por ne jemi më të fortë dhe më të qartë. Do të flas për “The Albanian Files”, libër me mbi 700 faqe, aty janë tokat e të gjithë shqiptarëve. Rama ka vendosur se çfarë do të bëhet me Shqipërinë për 100 vite, tokat, lumenjtë, kullotat tona janë pjesë e projekteve që ne as nuk i dimë. Gjatë kësaj kohe ka projekte shkatërruese sikurse ka të tjera që janë anuluar. Kjo është dosja që do të shoqërojë Ramën drejt e në qeli. Edhe sa do të rrimë këtu? Ne do të qëndrojmë dero në fund. Pas një rezistence mbi 1 vit e gjysmë presidenti i Serbisë dha dorëheqjen, këta diktatorë pas një jave, një muaji, një vit do të largohen. Kjo s’është garë sprinti, është maratonë, kjo është lojë nervash, por ne nuk dorëzohemi”, tha ai.
