Protesta e 28-të kombëtare përpara godinës së kryeministrisë ka vijuar me fjalime tejet të ashpra nga rinia shqiptare, e cila ka marrë frenat e këtij revolucioni qytetar. Një prej të rinjve që u ngjit në tribunë ka lëshuar një lumë akuzash dhe denoncimesh të rënda në adresë të kryeministrit Edi Rama, duke i bërë thirrje të prerë për dorëheqje dhe duke deklaruar se shoqëria shqiptare është emancipuar pa kthim.

I riu ka skanuar të gjithë mekanizmat që sipas tij qeveria përdor për të kontrolluar opinionin publik, duke përmendur sulmet hibride, patronazhistët dhe përdorimin e mediave.

Gjatë fjalës së tij përpara mijëra protestuesve, i riu iu drejtua drejtpërdrejt kreut të ekzekutivit, duke i bërë të qartë se metodat e vjetra të kontrollit të diskursit publik nuk funksionojnë më me brezin e ri.

“Ti mendon se mund të kontrollosh diskursin publik, duke bërë ca analiza për të parë çfarë thonë njerëzit, duke u munduar të manipulosh algoritmin, duke sajuar sulme hibride, me papagaj në studio televizive, me deputetë dele që dërdëllisin në kuvend, dhe me çetën e patronazhistëve që i hedh në sulm online. Ti mendon se do ja dalësh, por nuk do të eci! Lëri metodat komuniste, jo më me ne!”, deklaroi ai.

Sipas protestuesit, përpjekjet e qeverisë për të tjetërsuar fytyrën e kësaj proteste apo për të përçarë qytetarët do të dështojnë, pasi ky është brezi që do t’i japë fund tranzicionit të gjatë në Shqipëri.

Më tej, ai sfidoi hapur kryeministrin lidhur me projektin e Zvërnecit, duke thënë se nëse ai guxon të nisë sërish punimet atje, qytetarët do të kthehen sërish në shesh edhe më të shumtë në numër.

Në mbyllje të fjalës së tij, i riu deklaroi se kryeministri ndodhet në një pozitë ku nuk mund ta japë dot dorëheqjen për shkak të problemeve dhe aferave që po i zënë frymën, por nënvizoi se këto janë halle personale dhe jo të Shqipërisë.

“Ka një problem zoti kryeministër në ikje, ti nuk e jep dot dorëheqjen. Nuk e jep dot për arsye që vetëm ti i di sepse je një person me halle personale. Je peng i aferave që po të zënë frymën! Ne nuk i dimë të gjitha prapaskenat, bur ne dimë që ato halle janë të tuat, jo të Shqipërisë! Prandaj duhet të japësh dorëheqjen! Jepe dorëheqjen! Dorëheqja të bën të lirë!”, ishin fjalët përmbyllëse që ndezën bulevardin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb