Protesta kombëtare përpara godinës së kryeministrisë po dëshmon jo vetëm qëndresë qytetare, por edhe një përpjekje për të strukturuar organizimin e zërit qytetar. Një prej protestuesve që mori fjalën në tribunë ka ndarë me të pranishmit ecurinë e një propozimi të bërë disa ditë më parë, i cili synon ngritjen e një Kuvendi Kombëtar qytetar.
Sipas tij, kjo ide ka gjetur një mbështetje tejet të gjerë në shesh dhe tashmë puna organizative ka nisur konkretisht, duke regjistruar qindra persona të gatshëm për të kontribuar.
Gjatë fjalës së tij, folësi shpjegoi me detaje se si do të funksionojë ky organizëm dhe cili do të jetë numri i personave që do të bëjnë pjesë në të për të garantuar një përfaqësim sa më legjitim të revoltës.
“Para disa ditësh gjatë protestës kam folur për ngritjen e një kuvendi kombëtar qytetar dhe ka marrë pëlqimin e një pjese të madhe të njerëzve në shesh dhe i jemi futur punës për të bërë këtë. Janë mbledhur rreth 500 anëtarë potencialë, por para se të vazhdojmë kemi nevojë për një miratim apo pëlqim. Në çastin që ata njerëz do përzgjidhen, do jenë jo më pak se 300 që të përfaqësojnë të gjitha segmentet e protestës”, deklaroi ai përpara turmës.
Më tej, protestuesi vuri theksin te transparenca absolute e këtij procesi përzgjedhës, duke garantuar se asnjë person nuk do të mund të pozicionohet në këtë strukturë pa marrë më parë votëbesimin e njerëzve në bulevard.
Ai siguroi se çdo kandidat do të dalë hapur përpara masës së qytetarëve për të marrë aprovimin e tyre direkt, duke shmangur çdo formë vetëzgjedhjeje.
“Secili do të vijë para popullit dhe të marrë miratimin nga populli. Nuk do ketë asnjë që të jetë i zgjedhur nga vetja, vetëm me miratimin e popullit protestues”, përfundoi ai mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve në shesh.
