Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Qipro, ku dy fëmijë të një familjeje janë gjetur të vdekur në rrethana që po hetohen nga autoritetet. Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur në fshatin Xylofagou, në Zonën e Lirë të Famagustës, ku një vajzë 8-vjeçare dhe vëllai i saj 10-vjeçar kanë humbur jetën pasi kanë mbetur të bllokuar brenda një automjeti të parkuar.

Hetimet po udhëhiqen nga Policia e Bazës Ajrore Britanike në Qipro, e cila ka nisur mbledhjen e dëshmive nga banorët dhe po shqyrton edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar saktësisht rrethanat e ngjarjes. Dy fëmijët, me origjinë bullgare, kishin mbërritur në Qipro në mesin e majit për të kaluar pushimet verore me babanë e tyre, i cili jeton dhe punon në ishull.

Sipas informacioneve paraprake, babai është larguar herët në mëngjes për në punë, ndërsa partnerja e tij është larguar më vonë, duke i lënë fëmijët në zonën e banimit. Dyshohet se ata kanë hyrë në automjet dhe janë bllokuar brenda pa mundur të dalin. Makina është gjetur e parkuar në një fushë pranë banesës ku jetonte familja, ndërsa fëmijët dyshohet se kanë qëndruar për disa orë në temperatura shumë të larta brenda mjetit të mbyllur.

Në trupat e tyre janë konstatuar shenja djegieje, që sipas ekspertëve tregojnë ekspozim të zgjatur ndaj nxehtësisë ekstreme. Fëmijët janë gjetur pasdite, dhe ekipet e emergjencës kanë tentuar t’u japin ndihmën e parë, por pa sukses. Më vonë gjatë së dielës, autoritetet kanë arrestuar babanë dhe partneren e tij nën dyshimin për neglizhencë të mundshme, ndërsa pritet që ata të dalin para gjykatës për masën e sigurisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: