Rikthimi i Kolo Muanit te Juventusi është gjithnjë e më pranë. Pas marrëveshjes së arritur mes klubit bardhezi dhe sulmuesit francez për një kontratë pesëvjeçare me pagë 5 milionë euro në sezon, tani mbetet të gjendet akordi mes Juventusit dhe Paris Saint-Germain.

Sot do të zhvillohet një raund i ri bisedimesh mes drejtuesve të dy klubeve, ku tema kryesore do të jetë vlera e kartonit të lojtarit, i cili vjen pas huazimit te Tottenhami.

Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Giovanni Carnevali, do të takohet me një delegacion të PSG-së jo në Torino apo Paris, por në Rimini, aty ku mbrëmjen e sotme do të hapet zyrtarisht merkatoja verore e vitit 2026. Sipas mediave italiane, në takim mund të jetë i pranishëm edhe presidenti i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi.

PSG ka vendosur dy kushte të qarta për largimin e Kolo Muanit: transferimi duhet të jetë përfundimtar, pa formulën e huazimit me të drejtë blerjeje si në janar të vitit 2025, ndërsa çmimi i kartonit nuk duhet të jetë më i ulët se 40 milionë euro.

Juventusi është dakord me idenë e një blerjeje të detyrueshme, por synon ta mbyllë operacionin për rreth 35 milionë euro, përfshirë bonuset. Marrëdhëniet e mira mes Carnevalit dhe drejtorit sportiv të PSG-së, Luis Campos, mund të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje dhe optimizmi nuk mungon nga të dyja palët.

Edhe trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, po e ndjek me interes zhvillimin e negociatave. Ai dëshiron ta ketë Kolo Muanin në dispozicion që në fillimin e grumbullimit më 13 korrik në Continassa, ose të paktën përpara fundit të muajit, para nisjes së turneut veror të skuadrës në Hong Kong dhe Perth.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: