Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar letrën me të cilën kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, njofton avokatin Kujtim Cakrani për vendimin e tij për të mos u përfaqësuar më prej tij. Në letrën e bërë publike, Meta shpjegon se vendimi lidhet me kompleksitetin dhe ngarkesën e çështjeve që po ndjek, si në procesin në themel, ashtu edhe në procedurat që pritet të zhvillohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, për shkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara, ndërkohë që ngarkesa e çështjes sime, jo vetëm në themel, por edhe për GJEDNJ, kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën”, thuhet në letrën e Metës.
Në të njëjtën letër, ai i kërkon avokatit Cakrani që të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e deritanishëm te Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ndërsa sqaron se për detyrimet financiare do të kujdeset motra e tij.
Meta bën të ditur gjithashtu se do të njoftojë edhe Gjykatën e Posaçme për ndryshimin e përfaqësimit ligjor.Letra mbyllet me fjalët: “Me konsideratë të veçantë”, me të cilat Meta falënderon avokatin Kujtim Cakrani për bashkëpunimin e deritanishëm.
