Analisti Fatos Lubonja deklaroi se hedhja e vezëve gjatë protestës ishte një akt tërësisht simbolik, duke theksuar se veprime të tilla janë pjesë e protestave politike në vendet demokratike.
I ftuar në News 24, Lubonja u shpreh se protestuesit kanë 30 ditë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa sipas tij, kreu i qeverisë duhej të ishte larguar prej kohësh për shkak të një sërë skandalesh që kanë shoqëruar qeverisjen.
Ai përmendi si shembuj çështjen e inceneratorëve, arrestimin e Erion Veliajt, largimin e Arben Ahmetajt dhe akuzat ndaj Belinda Ballukut, duke pretenduar se këto zhvillime do të kishin sjellë dorëheqjen e një kryeministri në një vend me standarde demokratike.
Sipas Lubonjës, nëse Shqipëria do të funksiononte si një shtet demokratik, drejtësia do të kishte vepruar mbi bazën e provave që, sipas tij, lidhin projektin e diskutueshëm me kryeministrin, duke iu referuar publikimeve të “The Albanian Files”.
Analisti tha se protestuesit janë lodhur nga protestat paqësore dhe për këtë arsye, sipas tij, kanë kaluar në një fazë të përshkallëzimit të reagimit. Ai argumentoi se qeveria nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, çka, sipas tij, e lë situatën mes vazhdimit të protestave paqësore ose përshkallëzimit të tyre.
Lubonja kritikoi edhe reagimin e Policisë së Shtetit, duke e cilësuar të panevojshëm përdorimin e forcës ndaj protestuesve. Ai tha se hedhja e vezëve nuk justifikon një reagim të ashpër dhe shtoi se policia tentoi të demonstronte forcë, por u përmbajt nga një ndërhyrje më e dhunshme për shkak të vëmendjes ndërkombëtare.
Në përfundim, Lubonja e cilësoi protestën si të civilizuar, duke bërë krahasim me protesta në vende si Franca dhe Italia, ku, sipas tij, shpesh regjistrohen dëmtime të pronës dhe përplasje më të ashpra.
“Sulmet me vezë janë tërësisht simbolike, që në vendet demokratike janë lojë politike.
Kemi 30 ditë që protestojnë dhe kërkojnë dorëheqjen. Disa thonë se Vuçiç qëndroi 1.5 vite. Ne kemi disa skandale inceneratorin, Veliajn, ikjen e Ahmetajt dhe Ballukun e ky kryeministër duhet ta kishte dhënë dorëheqjen edhe sikur asgjë të mos lëvizte.
Këtu janë kapur nga krimi në mënyrën më të pandodhur kurrë në botë.
Sikur të ishim prapë në një vend demokratik, duhet të vepronte drejtësia dhe ka prova të mjaftueshme, që projekti lidhet me kryeministrin dhe u vërtetua nga “The Albanian Files”.
Kemi të bëjmë me një regjim që nuk do ta japë dorëheqjen dhe ka dy rrugë ose paqësor ose në përshkallëzime të dhunshme që janë fatkeqe.
Protestuesit janë të lodhur me protestat paqësore dhe kaluan në eskalim.
Kemi të bëjmë edhe me reagimin e dhunshëm të policisë, sepse çfarë ka të gjuash me vezë?
Policët tentuan të tregonin muskujt, sepse s’është hera e parë. Nuk donin të reagonin dhunshëm sespe janë nën prozhektorët e botës. Këtë e interpretoj si test nga ana e pushtetit dhe si një përshkallëzim brenda normave, sepse në Francë dhe Itali shkatërrohen dyqane.
Kjo ka qenë shumë e civilizuar”, tha Lubonja.
