Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, deklaroi se presidenti Donald Trump është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake kundër Iranit, por vetëm nëse kjo i shërben një objektivi të qartë strategjik.
Duke folur në emisionin “The Michael Knowles Show”, Vance theksoi se administrata amerikane nuk e përjashton opsionin ushtarak në raport me Teheranin.
“Presidenti Trump është i gatshëm të hedhë bomba, por vetëm kur kjo i shërben një objektivi specifik”, u shpreh ai.
Deklaratat e Vance vijnë në një kohë kur Katari ka konfirmuar se bisedimet teknike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po vazhdojnë.
Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në një raund të ri negociatash derisa të zbatohen kushtet e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar mes dy vendeve.
Vance komentoi edhe qëndrimin publik të Teheranit ndaj dialogut me Uashingtonin, duke e cilësuar kontradiktor.
“Më duket interesante, por edhe zhgënjyese që iranianët mohojnë publikisht ekzistencën e negociatave për paqe, ndërkohë që bisedimet teknike vazhdojnë”, tha ai.
Sipas zëvendëspresidentit amerikan, kjo përbën një taktikë negociuese të Iranit.
“Është një praktikë retorike persiane që nuk e kuptoj”, përfundoi Vance.
