Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka propozuar hartimin e një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor, si një nga shtyllat kryesore të reformës zgjedhore në vend.
Gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Braho theksoi se lufta kundër krimit zgjedhor duhet të hyjë në një fazë të re, me më shumë koordinim ndërinstitucional, hetime më të thelluara financiare dhe ndjekje të plotë të zinxhirit të përfituesve nga deformimi i votës.
Sipas tij, hetimet duhet të shtrihen jo vetëm te autorët e drejtpërdrejtë, por edhe te ndërmjetësit, organizatorët dhe përfituesit realë të skemave të korrupsionit zgjedhor.
Një nga sugjerimet kryesore të SPAK është krijimi i një strategjie të unifikuar kombëtare që do të përfshijë parandalimin, monitorimin administrativ, raportimin qytetar, verifikimin policor, hetimin penal dhe kontrollin financiar si pjesë të një mekanizmi të vetëm institucional.
“Përvoja tregon se krimi zgjedhor nuk është vetëm çështje e një institucioni dhe nuk trajtohet vetëm përmes reagimit pas kallëzimit. Ai kërkon një qasje të integruar,” u shpreh Braho.
Ai gjithashtu propozoi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe aktivizimin më të hershëm të mekanizmave të monitorimit, përfshirë ngritjen e një task-force të përhershme të paktën katër muaj përpara çdo procesi zgjedhor.
Sipas tij, një qasje e tillë do të mundësonte identifikim më të shpejtë të riskut dhe reagim më efektiv ndaj fenomeneve që cenojnë integritetin e zgjedhjeve.
