TIRANË – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar në Tiranë një takim të nivelit të lartë me përfaqësues të rrjetit të Akademisë Kombëtare të FBI-së, ku në fokus ka qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe gjurmimi i pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Gjatë takimit, përfaqësuesi i SPAK, Klodian Braho, foli për sfidat me të cilat përballen hetuesit, veçanërisht për mënyrat e reja që përdorin grupet kriminale për të fshehur komunikimet dhe transfertat financiare përmes shteteve të ndryshme.

Braho theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimet kundër rrjeteve kriminale, duke nënvizuar se shkëmbimi i informacionit mes institucioneve të vendeve të ndryshme është një element i rëndësishëm në identifikimin dhe goditjen e tyre.

“Për SPAK, bashkëpunimi ndërkombëtar është çështje prioritare për ne. Është shumë e rëndësishme që të njohësh institucionin që drejton. Përvoja e përbashkët në Akademinë e FBI-së bën që të jemi më profesionalë në punën e përditshme”, deklaroi Braho.

Ai shtoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë ka luajtur rol në hetimet kundër krimit të organizuar, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit mes institucioneve.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar ka ndihmuar në goditjen ndaj krimit të organizuar. Një informacion që vjen nga Shqipëria mund të ndihmojë në vendet tuaja dhe e anasjellta. Falënderoj partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin me SPAK”, u shpreh ai.

PJESË NGA FJALA E KREUT TË SPAK; KLODIAN BRAHO;

Të nderuar drejtues të rrjetit të Akademisë Kombëtare të FBI-së, të nderuar të ftuar, zonja dhe zotërinj. Në emër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju uroj mirëseardhjen në Tiranë. Falënderoj degën evropiane të këtij rrjeti, presidentin e saj zotin Seferi dhe Policinë e Shtetit për organizimin e këtij takimi. Për SPAK-un, bashkëpunimi ndërkombëtar është pjesë thelbësore e punës sonë.

Një hetim mund të nisë në Tiranë, ndërsa komunikimet, transfertat bankare, pasuritë që kërkojmë të gjurmojmë na çojnë në disa shtete të tjera. Në këto raste përparimi i hetimit varet dhe nga kolegu që kupton kërkesën tonë, e trajton atë me përgjegjësi dhe na ndihmon të sigurojmë provën që na mungon.

Besoj se shumë prej jush e njohin mirë këtë përvojë. E dini sa rëndësi ka të njohësh institucionin të cilit i drejtohesh dhe të kesh besim te profesionistët që punojnë atje. Këtu qëndron dhe vlera e shtuar e këtij rrjeti.

Përvoja e përbashkët në Akademinë Kombëtare të FBI-së krijon marrëdhënie që vijojnë gjatë edhe pas përfundimit të trajnimit. Ky rrjet i mban ato aktive dhe ndihmon që njohja mes kolegëve të kthehet në bashkëpunim konkret.

Këtij komuniteti profesionistësh i është bashkuar tashmë dhe i diplomuari i parë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, krahas kolegëve të shumtë nga Policia e Shtetit dhe nga institucione të tjera ligjzbatuese shqiptare.

Së shpejti programin do ta ndjekë dhe përfaqësuesi i dytë i BKH-së. Ky përfaqësim na nderon dhe na ngarkon me përgjegjësinë për ta ndarë përvojën e fituar me kolegët tanë. Në Shqipëri kemi bërë përparim në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka patur një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Nga hetimet tona kemi fituar njohuri mbi mënyrën si organizohen grupet kriminale, si krijojnë lidhje përtej kufijve dhe se si fshehin dhe lëvizin përfitimet e tyre.

Këto njohuri mund të ndihmojnë dhe hetimet që zhvilloni në vendet tuaja. Për SPAK-un, bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve, me të njëjtin seriozitet që presim për kërkesat tona.

Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj, një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri. Pikërisht në këtë punë të ndërsjellë ndërtohet besimi dhe dëshmohet se mund të mbështetemi te njëri-tjetri.

Falënderoj veçanërisht FBI-në dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe ekspertizën që ndajnë me ne. Angazhimi ynë është t’ju përgjigjemi me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtin seriozitet.

Uroj që nga këto ditë në Tiranë të merrni me vete ide të dobishme për punën tuaj dhe të njihni kolegë të cilëve mund t’i drejtoheni nesër me besim. Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: