Protestat e zhvilluara dje përpara Parlamentit dhe Policisë, si dhe tubimet e njëpasnjëshme të diasporës shqiptare, kanë sjellë reagime të forta nga protagonistët në terren. Biznesmeni Erind Xhindi, i cili ishte i pranishëm në përplasjet me uniformat blu, ka zbërthyer me detaje atë që ai e konsideron si një strategji të qëllimshme të policisë për të shtypur dhe përçarë revoltën e qytetarëve.
Xhindi ka treguar hap pas hapi se si rritja e forcës së trysnisë nga policia dhe lëvizjet e tyre me protestuesit e arrestuar synonin vetëm një gjë: mbrojtjen e zyrtarëve dhe shpërndarjen e turmës.
Duke u ndalur te fillimi i përplasjes përpara godinës së Parlamentit, Xhindi ka dëshmuar se fokusi i vetëm i efektivëve të policisë në ato momente kritike nuk ishte rendi publik, por siguria fizike e deputetëve të mazhorancës. Sipas tij, pikërisht në momentin e tensionimit të situatës, në terren zbarkuan forca të shumta policore për të ushtruar dhunë dhe presion mbi masën e njerëzve.
“Në momentin që ne gjuanim me vezë, vëmendja e policëve ishte te ruajtja e deputetëve. Aty erdhën forca të shtuara besoj në formë trysnie. Vazhdon e njëjta situatë, kjo qeveri vijon me tërheqje zvarrë, me pengmarrje,” deklaron Xhindi, duke akuzuar policinë për sjellje agresive ndaj qytetarëve.
Më tej, biznesmeni ka shpjeguar edhe arsyen se pse pas Parlamentit, tubimi u zhvendos me shpejtësi përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Xhindi ngre dyshime të forta se policia përdori një taktikë specifike për të larguar njerëzit nga pika nevralgjike e protestës, duke i shpërndarë të arrestuarit nëpër zona të ndryshme të kryeqytetit me qëllim që të përçanin vëmendjen dhe koordinimin e protestuesve.
Sipas tij, sapo qëllimi i autoriteteve u arrit dhe Parlamenti u zbraz, policia nisi menjëherë lirimin e personave të shoqëruar, gjë që sipas tij vërteton skemën e tyre manipulative.
“Më pas vijuam protestën te policia e Tiranës. Mendoj se kanë dashur të shpërndajnë vëmendjen nga Parlamenti, ndaj kanë çuar protestuesit e arrestuar në disa komisariate. Ata dolën menjëherë pasi ikëm ne nga Parlamenti,” sqaron Erind Xhindi.
