Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në mbledhjen e kësaj të mërkure të Këshillit Kombëtar, ka deklaruar se të rinjtë kanë fituar disa herë përballë Edi Ramës dhe do të fitojnë edhe tani.
Ai tha se fitorja e parë ishte ajo për armët kimike dhe tjetra ajo për të ndjerin Klodian Rasha, i cili u vra pak metra larg banesës së tij, ku pas protestave kryeministri Ed Rama shkarkoi ministrin e kohës Sandër Lleshaj.
Për protestën antiqeveritare që sot shënon ditën e 32 Berisha tha se Rama po paguan shuma marramendëse për të kontrolluar algoritmin, por nuk ia ka dalë

“Kjo është një lëvizje e jashtëzakonshme. Gjenerata Z ka në dy dekadat e fundit rekordet e dy betejave më të rëndësishmë: ishte kjo gjeneratë që shpëtoi vendin nga mbeturinat e armëve kimike të cilat i premtoi Rama në vizitën e tij të parë në OKB.
Shqiptarët u mbeten mirënjohës atyre dhe ajo ishte kryesisht betejë e gjimnazistëve.
Ata me një pastërti dhe ideale të gjetur, kur panë rrezikun papritmas u derdhën në rrugë dhe detyruan despotin të anulonte vendimin e tij. Në vlerësime, e vërteta është ajo që na udhëheq, atë betejë s’e bënë focat politike, ne i mbështetëm, por e bënë ata.
Kjo s’ishte fitorja e vetme, kur dora e zezë e shtetit ekzekutoi Klodian Rashën, shteti trilloi, por gjenerata nuk besoi, detyruan Edi Ramën të shkarkonte ministrin e tij.
Tani ata janë në rrugë dhe s’ka forcë që mund t’i ndalojë për përmbysjen e qeverisë, lëvizja e tyre sado që përpiqet Edi Rama, me lëvizjen e tij koploralike, ka marrë kompanitë më të mëdha për të rrëmbyer algoritmin, ka krijuar me qindra faqe fake për t’i sulmuar është i pashpresë. Ajo gjeneratë nuk di të tërhiqet, di vetëm të fitojë.
Rama paguan çdo 30 minuta shuma marramendëse për të mbajtur nën kontroll algoritmin.
Do të shumëfishojmë përpjekjet për suksesin e kësaj lëvizjeje, askush nuk duhet të gabohet nga thirrjet e tyre. Rama një ndër sundimtarët më të rrezikshëm në histori, por idealet e tyre janë fisnike”, tha Berisha.

Në selinë e PD-së po mbahet mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të kësaj partie, anëtarët e së cilës u zgjodhën nga Kuvendi Kombëtar i mbajtur pak javë më parë.
Mbledhja e pritet të zgjedhë kreun e këtij forumi, që është drejtuar nga Edi Paloka prej disa vitesh, por që nuk do të rikandidojë më për këtë funksion.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar ka 3 pika në rendin e ditës:
1-Zgjedhja e Kryetar/it/es së Këshillit Kombëtar
2-Zgjedhja e Kryesisë së PD
3-Të tjera.
Propozimet për emrat e rinj që do të jenë pjesë e strukturës drejtuese të PD-së do të propozohen nga kreu demokrat, ndërkohë që anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë të drejtë të propozojnë kandidatura të tjera, nëse do të ketë të tilla.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb