Të paktën 20 persona janë shoqëruar ditën e sotme pas protestës së mbajtur para Kuvendit. Një protestë që u shoqërua me tensione e përplasje.
Babai i ekspertit të IT, Gent Progni, i cili u shoqërua gjatë protestës së sotme, në një komunikim për Neës24 bëri thirrje që shqiptarët të bashkohen për të rrëzuar regjimin.
Gjithashtu ai ka ndarë edhe një mesazh duke ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama.
“Policët nuk guxojnë të flasin, kanë frikë se po hapën gojën do jenë pa punë. Këta nuk e kuptojnë që populli do i çojë në vendin e vet këta kriminelë që kemi në pushtet. Djali im është rritur me edukatë për familjen, kombin e Shqipërinë. Unë desha të them një mesazh. Rama u ka çuar të gjithë shqiptarëve atyre që janë në divane duke na parë në televizor. Unë jam koleg i Edi Ramës kam luajtur basketboll me të, Rama u thotë shqiptarëve “unë ju rrejta, ju gënjeva, ju vodha ju burgosa ju talla ju shkela me këmbë, ju vrava, ju mora punën, tokën, ju rrita naftën, ju rrita taksën. Ju shkatërrova shëndetësinë, ju rrita çmimet e ushqimeve, ju vrava shpresën dhe përsëri nuk më rrëzoni. Çfarë duhet të bëj që të më rrëzoni? Ju bëj thirrje qytetarëve, të dalin në protestë”, tha ai.
