Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur festimet për 250-vjetorin e 4 Korrikut me një fjalim në Dakotën e Jugut, pranë monumentit të njohur Mount Rushmore National Memorial, ku theksoi identitetin amerikan, kulturën kombëtare dhe çështjet e emigracionit dhe votimit.

Në fjalimin e tij, Trump u fokusua tek patriotizmi dhe vlerat amerikane, duke deklaruar se “nuk është e thënë të lindësh në SHBA, por duhet ta duash vendin dhe atë që është ndërtuar”. Ai shtoi se, sipas tij, liria amerikane është e lidhur ngushtë me kulturën dhe historinë e vendit.

Presidenti paralajmëroi gjithashtu për atë që e quajti “ringjallje e kërcënimit komunist”, duke kritikuar grupe që, sipas tij, kundërshtojnë traditat dhe mënyrën amerikane të jetesës. “Mund të jesh komunist ose patriot, por nuk mund të jesh të dyja”, tha ai.

Duke folur për rrezikun e komunizmit, Trump u shpreh se “Partia Komuniste përbëhet nga emigrantë të paligjshëm, kriminelë dhe nga kushdo që nuk duhet të punojë. Komunizmi është një dështim. Ka qenë gjithmonë një dështim dhe mbetet i tillë. Është një dështim total. Shikoni njerëzit që e promovojnë atë. Në vigjilje të këtij 250-vjetori të lirisë amerikane, ne deklarojmë dhe betohemi se Amerika nuk do të jetë kurrë një vend komunist”.

Ai shtoi se, një brez pas Luftës së Ftohtë, “po shohim një rikthim të kësaj kërcënimi në vendin tonë, i ushqyer edhe nga ata që sapo kanë ardhur në vend dhe që përqafojnë ide krejtësisht të kundërta me mënyrën tonë të jetesës”.

Sipas tij, “komunizmi përfaqëson një kërcënim vdekjeprurës për lirinë amerikane. Është kërcënimi më serioz që vendi ynë ka përballuar ndonjëherë, madje më i madh se Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, Pearl Harbor apo 11 Shtatori”.

Në pjesën politike të fjalimit, Trump iu referua edhe zgjedhjeve të mesmandatit, duke propozuar forcimin e rregullave të votimit përmes një nisme të quajtur “SAVE America Act”, e cila do të kërkonte dëshmi të shtetësisë dhe dokument identifikimi me foto për regjistrimin dhe pjesëmarrjen në votime.

Duke iu drejtuar turmës, ai theksoi se në prag të 250-vjetorit të pavarësisë, Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë identitetin e tyre: “Nuk ka liri amerikane pa kulturën amerikane dhe pa popullin amerikan”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb