Papa Leoni XIV zhvilloi këtë të shtunë një vizitë zyrtare në Lampedusa, ishullin italian në Mesdhe që është kthyer në simbol të krizës së migracionit dhe refugjatëve në Evropë.
Gjatë vizitës, Ati i Shenjtë u prit nga autoritetet lokale, përfaqësues të Kishës, banorë të ishullit dhe emigrantë. Ndalesa e parë ishte në varrezat ku prehen emigrantët dhe refugjatët që humbën jetën gjatë përpjekjes për të kaluar Mesdheun. Papa u lut në heshtje dhe vendosi trëndafila të bardhë dhe të verdhë mbi varret e tyre.
Në fjalën e mbajtur para banorëve të ishullit, Papa Leo XIV theksoi se Lampedusa përfaqëson pikën ku dëgjohet më qartë thirrja që migracioni i drejton Evropës.
“Nga kjo pikë e fundit e Evropës në Mesdhe, thirrja e madhe që migracioni u drejton shoqërive evropiane është më e qartë”, u shpreh ai.
Papa vlerësoi se Evropa ka aftësitë dhe përgjegjësinë për të përballuar krizën migratore përmes një strategjie afatgjatë, duke kombinuar ndihmën humanitare me politika zhvillimi që synojnë të shmangin emigrimin e detyruar.
“Qëllimi është që migrantët të mirëpriten, të integrohen dhe të mbrohen, por edhe të mbështetet zhvillimi, në mënyrë që askush të mos detyrohet të emigrojë”, deklaroi ai.
Duke iu drejtuar banorëve të Lampeduzës dhe ishullit Linosa, Papa theksoi se komunitetet e krishtera duhet të jenë një strehë e sigurt për të gjithë.
“Zoti është një port i sigurt për të gjithë ne. Çdo bashkësi e krishterë është e thirrur ta pasqyrojë këtë realitet në jetën e përditshme. Mos e humbni kurrë frymën e besimit, shpresës dhe dashurisë”, tha Papa.
Sipas autoriteteve italiane, aktualisht në qendrën e pritjes në Lampedusa ndodhen 136 migrantë, mes tyre 51 të mitur të pashoqëruar.
Në përfundim të vizitës, Papa Leo XIV pritet të takojë një delegacion prej rreth 20 migrantësh në skelën e ishullit, e cila tashmë mban emrin “Skela e Papa Françeskut”, në nder të vizitës historike që Papa Françesku zhvilloi në Lampedusa në vitin 2013.
