Protesta e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës është shoqëruar edhe me thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e provokimeve, ndërsa një prej protestuesve deklaroi se klasa e vjetër politike kërkon tensione për të mbijetuar në pushtet.

Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, ai tha se protesta paqësore po shqetëson drejtuesit politikë dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos bien në grackën e dhunës.

“A e dini se kush ka frikë nga protesta jonë paqësore? Ai që është mësuar të përçajë njerëzit dhe të mbjellë frikë. Kur nuk ia del dot, bën provokime, si ato që pamë para dy ditësh para Kuvendit”, u shpreh ai.

Më tej, protestuesi theksoi se liria fitohet me qëndresë dhe jo me dhunë, duke paralajmëruar se, sipas tij, përshkallëzimi i situatës do t’i shërbente vetëm klasës së vjetër politike.

“Ne do të qëndrojmë fort për të qenë të lirë. Liria nuk dhurohet, por fitohet. Të mos biem në kurthin e dhunës. Kasta e vjetër politike do kaos, sepse aty mund të fshihet”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, protestuesi solli në vëmendje edhe ngjarjet e vitit 1997, duke bërë një krahasim me situatën aktuale.

“Kujtoni vitin 1997. Shteti u rrëzua, mijëra qytetarë u larguan, pati viktima dhe askush nuk mbajti përgjegjësi. Në vitin 1997 lufta ishte për pushtet, sot luftojnë për mbijetesë. Janë gati të krijojnë destabilitet vetëm për të mos u larguar nga pushteti”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb