Gazetari i News24 Osman Stafa ka mbajtur një fjalim të ashpër në protestën e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, ku u ndal te gjendja e sistemit shëndetësor, duke akuzuar qeverinë se ka lënë pacientët pa shërbime dhe ilaçe, ndërsa fondet publike, sipas tij, janë shpërdoruar në projekte të tjera.
Nga podiumi para Kryeministrisë, Stafa vlerësoi qëndresën e protestuesve, duke e cilësuar atë si të paprecedentë.
“Ata nuk duan të dëgjojnë e të shikojnë, duan vetëm të vjedhin e të përfitojnë në kurrizin tonë, me taksat tona. Por ne nuk do t’i lejojmë më. Kanë kaluar 35 ditë dhe nuk është parë kurrë në Shqipëri një protestë, një qëndresë dhe një rezistencë e tillë”, deklaroi ai.
Stafa kujtoi edhe rastin e protestuesit Altin Hila, i cili ndodhet në burg, ndërsa tha se familja e tij vijon të marrë pjesë në protestë.
“Një protestues i arrestuar, Altin Hila, babai i një fëmije invalid, mori pjesë në 33 protesta. Sot në protestë është nëna e atij fëmije dhe bashkëshortja e Altin Hilës me fëmijën e sëmurë. Në Shqipëri e drejta nuk ka si të mos fitojë”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës, ai ngriti akuza për gjendjen në spitalet publike, duke u ndalur te mungesa e pajisjeve dhe ilaçeve.
“Do të flas sa të kem frymë për shëndetësinë. Reanimacioni ka vetëm 30 vende, duhet të presësh të vdesë dikush që të marrësh shërbim. Te Neurologjia vdes po të kesh goditje në kokë, sepse nuk punon pajisja dhe duhet të kesh 35 mijë euro për të shkuar në spital privat. Në Onkologjik nuk ka ilaçe. A kanë shpirt këta që i lënë nënat, motrat e baballarët tanë pa ilaçe? I harxhojnë paratë me Kopshtin Eden, ‘Tigrat’ e Belindës, inceneratorët dhe satelitët. Janë kriminelë”, deklaroi Stafa.
