Një emigrant i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ngjitur në podiumin e protestës së 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se është kthyer në Shqipëri pas tre dekadash për t’iu bashkuar revoltës qytetare.

Në fjalën e mbajtur para mijëra protestuesve të mbledhur në bulevardin përballë Kryeministrisë, ai e cilësoi protestën si më paqësoren e zhvilluar në vend gjatë 35 viteve të fundit dhe akuzoi kryeministrin se po trajton territorin e Shqipërisë si pronë personale.

“Vij pas 30 vitesh nga SHBA për t’iu bashkuar protestës, protesta më paqësore në 35 vjet në Shqipëri. Këtë regjim do ta çojmë në kazan të plehrave. Të parët tanë luftuan dhe dhanë edhe jetën për këtë tokë”, tha ai.

Më tej, emigranti përdori një krahasim të fortë për mënyrën se si, sipas tij, po administrohet vendi.

“Ky hallvaxhi po e ndan Shqipërinë si me qenë një copë bakllava. T’ia falë njërit e tjetrit. Edi Rama është një zhuls. Ne do t’i hedhim në tokë dhe do të krijojmë Shqipërinë e re”, deklaroi ai mes brohoritjeve të protestuesve.

Protesta para Kryeministrisë vijon me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, lirimin e protestuesve të arrestuar dhe ndryshime në sistemin politik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb