Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka mbajtur një fjalim në protestën e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës, ku u ndal te emigracioni, largimi i të rinjve dhe nevoja, sipas saj, për ndërtimin e një Shqipërie të re me drejtësi të barabartë për të gjithë.
Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, Vatnikaj tha se te protestuesit sheh historinë e mijëra shqiptarëve që janë detyruar të largohen nga vendi për një jetë më të mirë.
“Në fytyrat tuaja shoh fytyrën e tim vëllai, student ekselent, që sot punon si punëtor ndërtimi në Nju Jork. Njëkohësisht shoh besim, shoh solidaritet për një Shqipëri të re që do ta ndërtojmë vetëm ne”, u shpreh ajo.
Aktivistja deklaroi se, sipas saj, Shqipëria e së ardhmes nuk duhet të dominohet nga autokracia, oligarkët apo interesat e ngushta politike.
“Sot në fytyrat tuaja shoh fytyrën e Shqipërisë së re, pa autokratin Edi Rama, pa oligarkë që na privatizojnë dhe pa pronarë mediash që ju shërbejnë”, tha Vatnikaj.
Në vijim të fjalës, ajo u ndal edhe te fenomeni i emigracionit, duke theksuar se shqiptarët nuk duhet të jenë më të detyruar të largohen nga vendi.
“Jemi këtu që nënat tona të mos na përcjellin më me lot në sy. Kemi ikur për 36 vjet, nuk ikim më. Ikni ju”, deklaroi ajo.
Në përfundim, aktivistja kërkoi një drejtësi që, sipas saj, të veprojë pa dallime ndaj të gjithë.
“Jam këtu me besimin se Shqipëria e re do të ketë një drejtësi që heton edhe Edi Ramën, edhe oligarkët, edhe autokratët, edhe ata që na kanë vjedhur”, përfundoi ajo, mes duartrokitjeve të protestuesve.
