Protesta e mbrëmjes së 4 korrikut në Tiranë do të mbahet mend si një prej tubimeve më masive, duke mbledhur mijëra qytetarë nga mbarë Shqipëria, trevat shqiptare dhe diaspora.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush rrafsh nga skaji në skaj, duke u shndërruar në një “det të kuq” nga flamujt, simbolet kombëtare dhe pankartat e shumta që qytetarët mbanin në duar.

  • foto galeri

Tubimi, i cili përkoi edhe me ditëlindjen e kryeministrit Edi Rama, u kthye në një revoltë të hapur ndaj keqqeverisjes dhe skandaleve korruptive që po hetohen apo gjykohen nga SPAK dhe GJKKO. Përmes thirrjeve të vazhdueshme si “Rama ik”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Pa dhënë dorëheqje, nuk ndalojmë”, pjesëmarrësit shprehën vendosmërinë e tyre për ndryshimin e sistemit politik 35-vjeçar.

000
000

Si një ironi për ditëlindjen e kreut të qeverisë, në protestë u shfaq edhe një “tortë betoni”. Marshimi madhështor vazhdoi edhe pas mesnate drejt Komisariatit Nr. 3 në rrugën “Mine Peza”, ku qytetarët kërkuan lirimin e protestuesve të arrestuar një ditë më parë para Parlamentit, duke brohoritur në kor “Lironi çunat”.

Përveç mesazheve drejtuar kryeministrit, zëri i qytetarëve dhe i diasporës së bashkuar shfaqi një revoltë të përgjithshme ndaj të gjithë klasës politike aktuale. Thirrjet e tyre synonin gjithashtu mbështetjen ndaj drejtësisë, duke kërkuar që SPAK të hetojë pa dallim të gjithë zyrtarët e korruptuar, në emër të një misioni për një Shqipëri të Re.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb