Kryeministri Edi Rama ka postuar sot një video, ku pretendonte se deklaratat e gazetarit Klevin Muka në lidhje me Porto Palermon nuk ishin të vërteta dhe se gjithçka ishte e sajuar me AI.

Në lidhje me pretendimet e Ramës ka reaguar Luçiano Boçi, i cili në një postim në rrjetet sociale ka dënuar gjuhën e papërshtatshme të përdorur nga kreu I qeverisë ndaj një gazetari profesionist, të cili e quante “agjitator të algoritmit”.

Boçi shprehet se të vërtetat e publikuara nga gazetari Muka, nuk janë krijuar me Inteligjencë Artificiale sicc edhe prtendon Rama, por kanë dalë nga Kontrolli I Lartë I Shtetit.

“PORTO PALERMO NUK ËSHTË CHATGPT, ËSHTË KLSH
Sulmet lincuese të Ramës me gjysëm të vërteta ndaj gazetarit Klevin Muka, i njohur për profesionalizmin e seriozitetin e tij, i cili denoncoi planin për resort në Porto Palermo, kërkojnë të fshehin të vërtetën.
Pa pikë turpi Rama e quajti “agjitator të algoritmit” Klevinin, me të cilin e ka një betejë të humbur publike dhe po humb dhe të dytën.
E fyeu live gazetarin dhe akuzoi se planin e paraqitur e kishte bërë me ChatGPT, ndërkohë që vetë Rama njihet si mashtruesi epik 3D që publikon propagandë digjitale pa fre.
Por e vërteta e gazetarit fatkeqësisht për Ramën, nuk ka dalë nga ChatGPT.
E vërteta ka dalë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe autor i projektit është Korparata e Investimeve Shqiptare!”,
shkruan ai.

Boçi sqaron më tej se “Algoritmet” e “ChatGPT” nuk mund të përdoren si perde për të fshehur gjurmët e një projekti shtetëror që mban emrin e Porto Palermo Marina Resort.

“Në raportin zyrtar të KLSH-së thuhet qartë se Korporata e Investimeve Shqiptare ka hartuar në mars 2022 projekt-propozimin “Porto Palermo Marina Resort”. E këtu s’ka as fantazi, as montazh e as algoritëm.
Po ka dokument shtetëror.
“Projekt propozimi ‘Porto Palermo Marina Resort’. Nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare është hartuar projekt-propozimi në muajin mars të vitit 2022, për zhvillimin e zonës së Porto Palermos me investime strategjike që përfshijnë ndërtimin e portit si dhe resorteve me 5 yje, ndërtimin e kapacitetit për vende ankorimi për jahte dhe varka, ndërtimin e një resorti model elite, shërbimet e mirëmbajtjes, rivitalizimi i tuneleve të nëndetëseve duke i kthyer në muze”, thotë KLSH.
Ky projekt-propozim parashikonte zhvillimin e zonës së Porto Palermos me investime strategjike.
Port, resorte me 5 yje, vende ankorimi për jahte e varka, resort elite dhe rivitalizimin të tuneleve të nëndetëseve që Rama e bërtiste fort në videon lincuese ndaj gazetarit.
Madje faza e parë parashikonte edhe përgatitjen e fizibilitetit dhe shprehjen e interesit nga investitorët privatë.
“Në fazën e parë nga AIC është parashikuar përgatitja e fizibilitetit për asetin si dhe përgatitja e shprehjes së interesit nga investitorët privatë. Hapat e mëtejshëm në këtë Projekt-Propozim, janë përcaktuar të jenë miratimi nga bordi i AIC së inicimit të projektit, miratimi nga Kryeministri, marrëveshja e zhvillimit midis AIC Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për përgatitjen e para fizibilitetit për zhvillimin e zonës dhe asetit dhe hapja e thirrjes së interesit për investitorët”, vijon KLSH-ja.
Pra pyetja nuk është nëse Klevin Muka përdor apo jo ChatGPT sepse ai këtë nuk e ka bërë.
Pyetja është pse një zonë strategjike, natyrore, historike dhe publike si Porto Palermo është futur në një projekt-propozim shtetëror për resort, port dhe investitorë privatë.
Rama sot thotë: “Nuk do të ketë ndërtim.”
Shumë mirë.
Atëherë të nxjerrë aktin zyrtar që anulon çdo projekt-propozim, çdo studim fizibiliteti, çdo thirrje interesi dhe çdo skemë zhvillimi privat në Porto Palermo.
Të tregojë kush e nisi projektin.
Kush e financoi.
Kush i kontraktoi ekspertët.
Kush parashikoi miratimin nga Kryeministri.
Dhe kush janë investitorët privatë për të cilët parashikohej shprehja e interesit.
Këtë të bëjë Mashtruesi 3D dhe jo të linçojë, shajë e fyej gazetarin!
“Algoritmet” e “ChatGPT” nuk mund të përdoren si perde për të fshehur gjurmët e një projekti shtetëror që mban emrin e Porto Palermo Marina Resort.
Por mashtruesi s’ka turp!
Ka vetëm frikë nga e vërteta dhe protesta!”,
përfundon ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb