Protesta e qytetarëve në Tiranë ka vijuar me deklarata të forta dhe mesazhe të drejtpërdrejta drejtuar institucioneve kyçe të vendit.
Një qytetar i moshuar ka folur për mikrofonin e News24, duke ironizuar fillimisht etiketimet që u bëhen shpesh protestuesve si “të paguar apo agjentë të huaj”.
“Unë jam agjent i Iranit, i rusit… ku ka shqiptar që nuk ja kanë bërë borxh këta?! Jam xhaxhai i një polici që ishte për 30 vite polic i shtetit dhe jo i partisë. Kam një mesazh për Policinë e Shtetit: Ju e dini që kjo është protesta më paqësore e historisë së këtij vendi. Këtu ka gra, gra shtatzëna… Një veprim i juaj mund të ndezë shkrepësen, dhe besoj se as ju nuk jeni dakord që ta ndizni këtë shkrepëse.”
Protestuesi ka hedhur poshtë çdo tentativë për të zhvlerësuar kauzën e qytetarëve që kanë mbushur sheshin prej më shumë se një muaji.
“Ne nuk jemi mbeturina, ne jemi qytetarë dhe protestojmë për të drejtat tona që na kanë mohuar,” përfundoi ai mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve në tubim.
