Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht në rrjetin social X pas padisë penale që shoqatat e gjyqtarëve kanë depozituar ndaj Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në të gjithë Shqipërinë. Padia u njoftua dje në emisionin “Kjo Javë” nga gjyqtari i GJKKO, Engert Pëllumbi. Ai tha se prokuroria e Beratit kishte nisur verifikimet ndaj punonjësve të Thesarit.

Përplasja ka lindur për shkak të mosekzekutimit të pretendimeve financiare për rritjen e pagave të trupës gjyqësore, veprim që Rama e ka cilësuar si një tentativë për të vendosur mbi paratë publike pa miratimin e Kuvendit.

Përmes një krahasimi të shifrave, Rama theksoi se sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se ajo e administratës shtetërore dhe 60% më e lartë se e kolegëve të tyre në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke tejkaluar edhe vendet si Kroacia, Bullgaria apo Serbia. Sipas kreut të qeverisë, pretendimet e reja të trupës gjyqësore do të krijonin një disbalancë të paprecedentë në piramidën e pagave në shtet.

“Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më lart,” deklaroi Rama. Ai shtoi se me këtë rritje, paga mesatare e trupës gjyqësore do të shkonte 1,000 euro më e lartë se ajo e Presidentit të Republikës dhe 2,200 euro më shumë se e një ministri, ndërsa në nivelet më të larta të sistemit gjyqësor kjo diferencë do të arrinte deri në 6,300 euro mbi pagën e një ministri.

Kreu i kabinetit e cilësoi si një lëvizje të papranueshme kallëzimin penal të bërë ndaj zyrtarëve të financave për moslëvrimin e fondit të kërkuar. “Duket si fantazi e shfrenuar por në fakt është lënda e kallëzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit,” përfundoi reagimin e tij kryeministri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb