Një dëshmi plot kurajë ka rrëqethur qytetarët e mbledhur në ditën e 37-të të protestës përpara Kryeministrisë. Para turmës ka folur mamaja e Arbër Lleshit, një prej të rinjve aktivistë që u arrestua dhe u dhunua gjatë tensioneve të 2 korrikut.
Mes emocionesh të forta por me një zë që nuk dridhej, nëna e të riut ka denoncuar dhunën policore që është ushtruar ndaj djalit të saj brenda furgonit të policisë, duke treguar se shenjat e goditjeve janë ende të dukshme në trupin e tij edhe sot, më 6 korrik. Ajo i ka dërguar një mesazh të prerë dhe sfidues kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se prandat dhe dhuna jo vetëm që nuk i kanë trembur nënat shqiptare, por i kanë bërë ato më të forta për të qëndruar në shesh.
Me sytë nga turma që e duartrokiste, mamaja e tijtregoi se si ndryshoi vendosmëria e saj pasi pa pamjet filmike të dhunës ndaj të birit.
“Përshëndetje qëndrestarë. Unë jam mamaja e Arbër Lleshit, të cilin ma arrestuan më 2 korrik. Shenjat e grushtave në furgonin e policisë i ka edhe tani që është data 6! Kur kam parë videon që dhunojnë tim bir u bëra më e fortë dhe thashë: Nëse kam ardhur një ditë po e një ditë jo se jam e sëmurë, që sot e tutje përditë këtu në shesh do jem dhe këtu na ke!”
Në fjalën e saj, ajo e cilësoi kreun e qeverisë si një figurë që nuk e meriton më titullin kryeministër, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe dhunë ndaj brezit të ri.
“Edi Ramës po i thëm kështu: Ti kujton se do na trembësh me arrestimin e fëmijëve tanë? Përkundrazi! Jemi bërë edhe më të forta dhe do jemi këtu në shesh! Jo 37 ditë, por 37 javë e 37 muaj po deshe! Deri sa klasa politike e qelbur që masakroi këtë popull të shkojë në koshin e plehrave. Një kryeministër i tillë nuk e ka parë historia në asnjë vend të botës! Kryehajdut, ti nuk e meriton fjalën kryeministër më! Nuk e gënjen dot më këtë popull”, tha ajo.
Nëna e aktivistit të lënduar theksoi se beteja tashmë është e pakthyeshme.
“Kjo rini e ka parë demokracinë dhe nuk u bën dot më gol kësaj rinie të mrekullueshme! Ne jemi këtu, me fëmijët tanë dhe bashkë me prindërit,” përfundoi ajo me dorën ngritur, duke u kthyer në simbolin e qëndresës së nënave në bulevard.
