Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë prezantimit të veprimtarisë së institucionit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deklaroi se shifrat e referuara tregojnë një rritje të hetimeve për pastrimin e parave dhe korrupsionin.
Çela u shpreh se që prej vitit 2020 janë ndërmarrë iniciativa për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, përmes ngritjes së strukturave të posaçme dhe memorandumeve me institucione si Doganat, Tatimet, Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Sipas tij, sistemi i drejtësisë është shpëtuar nga kolapsi, ndërsa ekzekutimi i letërporosive mbetet një indikator i rëndësishëm i punës së prokurorive
“Shifrat që kemi paraqitur tregojnë rritje të hetimeve për pastrimin e parave dhe korrupsionin.
Që nga viti 2020 kemi nxjerrë një udhëzim për ngritjen e strukturave të posaçme, po ashtu kemi memorandum edhe me Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit, AMF.
Shifrat e përmirësuara janë fryt i këttyre nismave. Arritëm të shpëtojmë sistemin nga kolapsi, ekzekutimi i letërporosive është indikator i rëndësishëm. Prokuroritë veprojnë me 60% të kapaciteteve dhe arrijnë të shqyrtojnë deri në 40% të letërporosive. Janë 22 mijë procedime penale, ajo që vlerësojmë është se plotësimi me numrin e magjistratëve do të rrisë kapacitetin”, tha ai.
Ai bëri të ditur se numri i çështjeve të mosfilluara mbetet i lartë, rreth 17 mijë, ndërsa theksoi nevojën për më shumë burime njerëzore dhe përmirësim të infrastrukturës.
“Numri i çështjeve të mosfilluara është i madh, rreth 17 mijë çështje.
Janë shtuar burimet njerëzore për t’ju ardhur në ndihmë prokurorëve, Numri i prokurorëve duhet të jetë më i lartë,
Çësthja e dytë është infrastruktura, sepse s’kemi ku të vendosim prokurorët.
Kemi bërë një projekt, por nuk është realizuar. Na është premtuar një godinë deri në 2030”, tha ai.
Duke folur për pavarësinë e prokurorëve, Çela e cilësoi atë një çështje kyçe, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e një mekanizmi efikas kontrolli.
“Sipas vlerësimit tonë, mungon një mekanizëm efikas. Dy mekanizmat janë vlerësimi i prokurorëve, që bëhet çdo pesë vite, dhe inspektimi. Mekanizmi që do të rriste efikasitetin është inspektimi, jo si dikur, por duhet një fuqi inspektuese për çështjet që lidhen me Kuvendin”, tha Olsian Çela.
