Maks Vershtapen pati një fund të hidhur në Çmimin e Madh të Britanisë në Formula 1, event i zhvilluar të dielën në Silverston. Ai kishte bërë një rikuperim të fortë deri në vendin e tretë në garë dhe po i afrohej një podiumi që do t’i lejonte të ngushtonte ndjeshëm diferencën me Kimi Antonelin, pasi piloti italian ishte tërhequr, si edhe me Xhorxh Rasëllin që ndodhej pas tij.
Megjithatë, holandezi doli në zhavorr kur kishin mbetur edhe katër xhiro deri në fund dhe u detyrua të tërhiqej. Pas kësaj, ai mbetet 103 pikë pas Antonelit dhe renditet i shtati në klasifikimin e përgjithshëm të Kampionatit Botëror të Formulës 1. Nëpërmjet radios, “33”-shi shpërtheu duke deklaruar: “Jam i shkatërruar. Mallkuar qoftë kjo makinë. Është e pabesueshme, në mënyrë të tmerrshme”.
SHKAKU I TËRHEQJES – Më vonë, piloti i Red Bullit zbuloi shkakun e aksidentit: “Është i njëjti problem si në kualifikueset në Austri. Krahu aerodinamik i pasmë nuk mbyllet plotësisht, humbet ngarkesë aerodinamike, makina rrëshqet dhe del nga pista. Një herë mund të ndodhë, por dy herë radhazi është e rrezikshme”, tha Vershtapen, duke iu referuar problemit të mëparshëm në Q3 në Red Bull Ring. Vershtapen nuk ishte i sigurt nëse problemi mund të përsëritet në të ardhmen: “Gjithmonë mund të rregullohet, por fakti që ndodh dy herë nuk është aspak i mirë”, shtoi ai.
MAKINË E VËSHTIRË – Katër herë kampioni i botës u shpreh shumë i pakënaqur me makinën RB22, përtej defektit final: “Është shumë e vështirë për t’u drejtuar. Me gomat e forta ishim shumë të ngadaltë. Nuk e kam shijuar aspak garën”, deklaroi holandezi. Vershtapen nuk e fshehu zhgënjimin për gjithçka që ndodhi: “Është e dhimbshme, është frustruese. Po përpiqesh të japësh maksimumin. Gjatë gjithë fundjavës nuk kam qenë i kënaqur me makinën, më ka munguar shpejtësia në vijat e drejta. Edhe performanca në garë ishte e njëjtë… Unë do të kisha bërë ndryshime dhe do të kisha nisur nga ‘pit lane’”, tha piloti i Red Bullit, duke reflektuar edhe mosmarrëveshjet me ekipin. Ai shtoi me tone të forta: “Tani për tani kam dëshirë të shkoj në shtëpi dhe të mos mendoj për Formulën 1”.
TENSION TE RED BULLI – Më vonë, sipas disa gazetarëve holandezë, Vershtapen ka pasur një takim me Laurent Mekies, drejtorin e Red Bullit, së bashku me rrethin e tij të afërt. Thuhet se në bisedë ka pasur tension, në një moment kur flitet edhe për negociata të mundshme me MekLarenin dhe për faktin se Vershtapen nuk ka konfirmuar vazhdimin me skuadrën austriake për vitin 2027, pavarësisht kontratës që ka, pasi mund të aktivizojë klauzolën e performancës për t’u larguar. Megjithatë, vendet e lira në ekipet më të forta të Formulës 1 janë shumë të kufizuara ose pothuajse inekzistente.
