Qytetarët janë mbledhur edhe këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, duke shënuar ditën e 38-të të protestës për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Si çdo mbrëmje, protestuesit do të marshojnë nga sheshi drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përsëriten kërkesat për dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ndryshim politik.
Gjatë fjalës së tij në shesh, një arsimtar tha për News24 se ishte larguar nga puna pasi nuk kishte siguruar pesë vota nga diaspora për Partinë Socialiste, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj qeverisë.
“Qeverisemi nga një organizatë kriminale. Kjo është për të ulëritur, jo për të protestuar. Këtij është t’ia kapësh për fyti atë që na drejton. Ta nxjerrësh jashtë loje. Isha në plazh para pak ditësh, Lana po ashtu, e gjithë Shqipëria bie erë m*t.
Më larguan nga puna, o Osman, sepse më kërkuan pesë emra nga jashtë shtetit, votues për organizatën kriminale.
Isha nëndrejtor shkolle. Më tha vajza në Angli: ‘Çfarë më shkruajnë të ndihmoj me fushatën?’, ndërkohë që unë numrin e saj nuk ia kisha dhënë askujt. I thashë: ‘Janë debilat e PS për votat’. Më larguan nga puna pastaj”, u shpreh ai.
