“OpenAI” pritet të lançojë të enjten serinë e re të modeleve të inteligjencës artificiale GPT-5.6, pasi publikimi u shty për disa javë për shkak të shqetësimeve të autoriteteve amerikane mbi sigurinë kombëtare.

Sipas Axios, Shtëpia e Bardhë miratoi publikimin vetëm pas përfundimit të testimeve teknike dhe konsultimeve me drejtuesit e kompanisë. Vonesa lidhej me frikën se modelet e avancuara të inteligjencës artificiale mund të përdoren për të identifikuar dobësi në sisteme softuerike, të cilat mund të shfrytëzohen nga shtete rivale si Rusia dhe Kina.

OpenAI e cilëson GPT-5.6 si modelin më të avancuar të zhvilluar deri më tani, me aftësi të përmirësuara në sigurinë kibernetike, biologji dhe kryerjen e detyrave autonome.

Seria GPT-5.6 përfshin tre versione të ndryshme: Sol, modeli më i fuqishëm i kompanisë; Terra, i projektuar për përdorim të përditshëm; dhe Luna, versioni më i shpejtë dhe më ekonomik.

Kompania njoftoi gjithashtu se GPT-5.6 është pajisur me një sistem të ri sigurie me shumë shtresa, i krijuar për të parandaluar keqpërdorimin e inteligjencës artificiale në sulme kibernetike dhe aktivitete të tjera të rrezikshme.

Megjithëse pranoi shtyrjen e kërkuar nga Shtëpia e Bardhë, OpenAI theksoi se nuk dëshiron që kontrolli paraprak nga qeveria të bëhet praktikë e përhershme, duke argumentuar se kjo mund të vonojë aksesin e përdoruesve dhe bizneseve në teknologjitë më të avancuara.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb