Ndërsa liderët e NATO janë mbledhur në Ankara për Samitin e 2026, kriza në Lindjen e Mesme dhe përplasjet e fundit ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë marrë vëmendjen kryesore.
Në një deklaratë të fortë për mediat përpara nisjes së seancës kryesore, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar qëndrimin e prerë të aleatëve kundër ambicieve bërthamore të Teheranit dhe ka bërë thirrje për garantimin e lirisë së lundrimit në pikën më strategjike të transportit të naftës në botë.
Rutte sqaroi pozicionin e aleancës përballë zhvillimeve të fundit, duke nënvizuar se ndonëse rajoni i Gjirit ndodhet jashtë kufijve gjeografikë të mbrojtjes kolektive të NATO-s, qëndrimi politik i 32 vendeve anëtare mbetet unik dhe i palëkundur.
“Irani është jashtë territorit të NATO-s… Irani nuk duhet të ketë kapacitet bërthamor, Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet dhe NATO gjithmonë ka mbajtur qëndrimin se kur bëhet fjalë për kapacitetin e raketave balistike ndërkontinentale, Irani nuk duhet ta fusë në dorë atë,” u shpreh shefi i NATO-s.
